Në mes të dhjetorit, një grua e moshuar ukrainase, me shami në kokë, qëndronte në një zyrë në kufirin e Rusisë me Estoninë. Vajza e saj, Olha, po e priste në stacionin e trenit në qytetin Narva të Estonisë, me shpresën për t’u ribashkuar me nënën e saj, Hanna, që ishte dërguar në Rusi nga forcat pushtuese ruse në fillim të qershorit të vitit 2022.

Por, rojet kufitare estoneze refuzuan kërkesën e saj për kalim të kufirit, duke thënë se ajo kishte qenë në Rusi për një kohë të gjatë.

Vullnetarët rusë që po e ndihmonin Hannan e dinin se e vetmja mënyrë e mbetur për ta kthyer atë nga Rusia do të ishte nëpërmjet kalimit kufitar Kolotilovka-Pokrovka, midis rajonit perëndimor të Belgorodit të Rusisë dhe rajonit Sumy të Ukrainës. Ajo ishte paralajmëruar se dy kilometrat e fundit të atij udhëtimi do t’i duhej t’i bënte në këmbë.

“Kjo nuk është problem”, tha 86-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve, pavarësisht temperaturave të ftohta. “Do t’ia dal. Kam bastunin tim”.

Kievi zyrtar dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Rusinë se ka larguar ilegalisht dhjetëra mijëra fëmijë nga Ukraina që kur filloi të nxiste trazira atje në vitin 2014 dhe veçanërisht pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të vendit në shkurt të vitit 2022.

Në mars të vitit 2023, Gjykata Ndërkombëtare Kriminale (ICC) lëshoi urdhërarreste për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe komisionaren e të drejtave të fëmijëve në Rusi, Maria Lvova-Belova, për kryerje të krimeve të luftës, duke cituar atë që e quajti “përgjegjësi penale individuale” për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Rusi.

Mbajtja e fëmijëve ukrainas në kampet ruse, “mund të jetë krim lufte”

Largimi i ukrainasve të moshuar – pavarësisht se a kërkohen nga familjarë të tyre apo jo – ka tërhequr më pak vëmendje, thonë vullnetarët rusë që i ndihmojnë këta persona. Numri i rasteve të tilla është e pamundur të dihet, thanë vullnetarët për Radion Evropa e Lirë.

Në korrik të vitit 2023, një raport hulumtues në The Telegraph të Britanisë tha se “ukrainas të moshuar dhe të pambrojtur u dërguan në territorin rus, iu hoq shtetësia, u detyruan të jepnin gjak dhe u lanë në agoni nga procedurat e gabuara mjekësore”.

Për shkak se autoritetet në Rusi i kanë ndjekur penalisht vullnetarët që ndihmonin ukrainasit të kthehen në shtëpi, emrat e vërtetë të Hannas, Olhas dhe Dashas, një gruaje që u ndihmoi atyre, janë mbajtur anonim për t’ua mbrojtur identitetin.

Nga një shtëpi pensioni te “njerëz të mirë”

Shtëpia në rajonin verilindor të Harkivit të Ukrainës, ku Hanna jetonte e vetme përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, u bë e pabanueshme gjatë luftimeve në atë pranverë.

Përderisa Olha jetonte në territorin e kontrolluar nga qeveria në Ukrainë, forcat pushtuese ruse e dërguan Hannan në një kamp për njerëzit e zhvendosur brenda Rusisë. Nga atje, ajo u dërgua shpejt në shtëpinë e djalit të saj të madh, i cili jeton në një qytet në rajonin e Vollgës të Rusisë.

“Për fat, asaj iu kujtua adresa”, tha Olha për Radion Evropa e Lirë. Përndryshe, ka të ngjarë që familja e saj në Ukrainë nuk do të mund ta gjente kurrë.

Por, djali i Hannas, emri dhe vendndodhja specifike e të cilit gjithashtu mbeten anonime për sigurinë e tij, nuk kishte mundësi ta mbante atë përgjithmonë.

“Vëllai im nuk është i ri dhe është në gjendje të keqe shëndetësore”, shpjegoi Olha.

“Thjesht, nuk kishte vend për nënën në apartamentin e tij njëdhomësh, kështu që ai e kontaktoi një qendër për refugjatë. Dhe ata e dërguan atë në një shtëpi të moshuarish”.

“Ishte e padurueshme ta dije që ajo ishte në një shtëpi pleqsh”, tha Olha. Ajo shtoi se “do të duheshin shumë vullnetarë për ta ndihmuar mamanë të shkonte në kufirin rus, ku unë do ta takoja [atë] dhe do ta merrja në shtëpi me mua”.

Vullnetarët që më vonë ndihmuan Hannan me kërkesën e Olhas, mbanin mend se si Hanna kishte qarë kur fliste për kohën e saj në shtëpinë e të moshuarve, duke thënë se ishte mësuar të jetonte vetëm dhe jo nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Ajo donte të shkonte në shtëpi, thanë ata, te vajza e saj.

Pasi Hanna u dërgua në shtëpinë e të moshuarve dhe iu dha një “pasaportë e brendshme” ruse, dokumenti kryesor i identifikimit në vend, vëllai i Olhas filloi ta ndihmonte në përpjekjet për ta siguruar kthimin e nënës së tyre në Ukrainë.

Atyre iu deshën disa muaj për ta siguruar lirimin e Hannas nga shtëpia e të moshuarve dhe ajo mundi të transferohej në banesën e disa “njerëzve të mirë” në qytetin ku jeton vëllai i Olhas.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Olha kontaktoi vullnetarë rusë në Shën Petersburg, të cilët ranë dakord ta ndihmonin vëllain e Olhas ta sillte Hannan në pikën kufitare me Estoninë, me shpresën se Olha do të ribashkohej me të në Narva.

“Ne nuk do t’ju harrojmë kurrë”

Menjëherë pas përpjekjes së dështuar për t’u larguar nga Rusia nëpërmjet Estonisë, Hanna u gjend sërish në një platformë treni. Këtë herë, ajo u nis nga Shën Petersburgu në Belgorod, ku planifikonte të provonte kalimin në pikën kufitare Kolotilovka-Pokrovka. Më herët, ajo i kishte thënë lamtumirë djalit të saj, i cili ishte kthyer në shtëpinë e tij në Rusi.

Sipas të gjitha gjasave, ajo ishte hera e fundit që ata do ta shihnin njëri-tjetrin.

Vullnetarët e shoqëruan deri në tren dhe u siguruan që ajo ishte rehat në vendin e saj. Një konduktor u premtoi se do të kujdesej për Hanën “sikur të ishte nëna ime”, tha njëri vullnetar për Radion Evropa e Lirë.

Vullnetarë të tjerë ishin gati për ta mirëpritur në mbërritjen e saj në Belgorod. E vendosën në një bujtinë dhe i dhanë një vakt të ngrohtë. Ajo priti në qytetin kufitar dy ditë deri kur vullnetarët rusë e gjetën një grua, Dasha, e cila ishte e gatshme ta shoqëronte Hannan përtej kufirit.

Kur gjithçka ishte gati, vullnetarët i çuan dy gratë sa më afër pikës kufitare që mund të arrihej me makinë. Pastaj, ata pritën me nervozizëm për katër orë para se të merrnin ndonjë njoftim tjetër.

Dasha më vonë raportoi se udhëtimi deri në pikën kufitare mori një kohë jashtëzakonisht të gjatë, me Hannan që lëvizte ngadalë dhe pushonte shpesh. Nata binte herët dhe dyshja nganjëherë largohej nga shtegu dhe futej në errësirë. Dasha tërhiqte prapa vetes një çantë të vogël me të gjitha pasuritë e tyre.

Por, ato arritën pa ndonjë incident në një pikë kontrolli në anën ukrainase, ku iu dhanë çaj dhe një vend të ngrohtë për t’u ulur. Olha po priste ta përqafonte nënën e saj për herë të parë që nga fundi i vitit 2021.

“Të dashurit e mi”, shkroi ajo në një tekst për vullnetarët në Rusi, “faleminderit të gjithëve. Mami ia doli. Po shkojmë në shtëpi. Do ju shkruaj më shumë nesër”.

Për shkak se nuk mund të ktheheshin në shtëpinë e Olhas në Harkiv, shkaku i shtetrrethimit të ligjit ushtarak, dy gratë e kaluan një natë në shtëpinë e disa të njohurve të tyre. Kur udhëtimi i tyre mbaroi, Hanna kishte marrë një të ftohtë që e mbajti në shtrat për disa ditë. Por, ato ishin sërish bashkë në prag të Vitit të Ri.

“Mamaja po kalon mirë”, u shkroi Olha vullnetarëve rusë në Shën Petersburg pak para festës. “Ajo është shëruar dhe ne ulemi së bashku në mbrëmje dhe flasim për gjithçka që ka ndodhur. Pavarësisht se sa të trishtuara jemi dhe sa të vështira janë gjërat në Ukrainë këto ditë, ne jemi në një humor pushimesh, pavarësisht gjithçkaje. Thjesht, duam që ky tmerr të marrë fund”.

“Faleminderit për të gjitha të mirat që po bëni”, përfundoi ajo. “Ne nuk do t’ju harrojmë kurrë”./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *