Subscribe

Familja Xeka në qytetin e Korçës prej vitesh jeton në kulmin e mbijetesës. Katër pjesëtarët e kësaj familjeje nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike, gjë që ka çuar babain e shtëpisë drejt një vendimi drastik; të shesë veshkën për t’i siguruar fëmijëve bukën e gojës.

Kjo familje përbëhet nga babai Gjergj Xeka, bashkëshortja e tij Shpresa, dhe dy vajzat e tyre të të mitura që ende nuk kanë përfunduar shkollimin. Prej vitesh Gjergjit i është hequr kempi prej pengesave burokratike, që e detyrojnë atë të udhëtojë nga Tirana për në Korçë, një udhëtim ky i pamundur për shkak të vështirësive financiare.

Gjergji vuan nga epilepsia dhe tromboza në kokë, duke e bërë të paaftë për të punuar. Në të tilla kushte, ai u shpreh për kamerën e “Vizioni i Pasdites” se i mbetet vetëm të shesë organin e tij.

“Kam arritur deri atje sa, për hir të vajzave dhe të gruas, të heq veshkën. Po kërkoj ngado, organet që merren me këtë punë, që ta heq veshkën. Ta heq që me ato lekë të siguroj jetesën e fëmijëve dhe të heq shpenzimet. Nuk e përballoj dot këtë varfëri që kam. Unë s’kam asnjë kokërr leku. Të gëzojnë dhe vajzat e mia siç gëzojnë fëmijët e tjerë. I kam parasysh të gjitha. Nuk më duhet jeta ime para lumturisë së vajzave”, u shpreh Gjergji për Vizion Plus.

Por problemet për familjen Xeka nuk përfundojnë këtu. Gruaja Shpresa Xeka, prej vitesh bashkëjeton më cistet në gji. Varfëria ekstreme e ka ndaluar Shpresën që të diagnostiohet, e jo më të shtrohet e të kurohet.

Ndërkohë Gjergji zbulon se prej dy javësh vajzat e tij nuk shkojnë më në shkollë, si pasojë e mungesave në çdo aspekt. Ai tregoi se vajzat një vakt e merrnin në një qendër bamirësie, dhe se pjesën tjetër të ushqimeve i kishin falë mirësisë së fqinjëve dhe familjarëve.

Në shtëpinë Xeka nuk ka energji elektrike prej shtatorit të vitit të shkuar. Nuk kanë as ngrohje në mes të këtij dimri të acartë.

“Jam i paaftë, vuaj nga dy sëmundje të këqija që mezi kaloj ditët dhe netët. Epilepsi dhe trombozë në kokë. Jam trajtuar para 5 vitesh me kemp, dhe drejtori i Korçës më drejtoj për në Tiranë. Nuk kam lekë për të vajtur në Tiranë. Kam 5 vjet pa kemp. Jetoj me ndihmën e komshinjve, të fisit, të motrës. Vajzat kanë dy javë që nuk shkojnë në shkollë sepse nuk kam çfarë tu jap për në shkollë.” – tha ai.

Historia e kësaj familje është një pjesë e Shqipërisë tjetër që shërben si një kambanë alarmi, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *