Subscribe

Paraditen e së hënës deputetët do të mblidhen për të tretën herë në seancën e posaçme për zgjedhjen e presidentin të ri. Edhe raundi i tretë do të mbyllet pa votim duke u djegur kështu edhe mundësia e fundit për një president si rrjedhojë e dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës.

 

Me djegjen e raundit të tretë dhe të fundit që kërkon 84 vota, Partia Socialiste, udhëheqëse e procesit të zgjedhjes së pasuesit të Ilir Metës i rikthehet angazhimit të saj të parë, atë të zgjedhjes vetë të kreut të ri të shtetit.

 

Në raundin e katërt dhe me më shumë se 71 vota në xhep, pas dy dekadash presidenti i ri do të jetë i socialistëve. Është thënë që ai nuk do t’i përkasë grupit parlamentar të PS. Gjithësesi zgjedhja e tij ose e saj me votat e tyre do të bëjë që edhe institucioni i presidencës t’i përkasë mazhorancës qeverisëse.

 

Prej 10 majit shumë janë përfoluar si kandidatë të mundshëm për president. Emri pritet të zyrtarizohet pasi socialistët të mblidhen mes tyre dhe në fund Edi Rama të vendosë se kush do të ulet për pesë vitet e ardhshme në karrigen e presidentit.

 

Pas dështimit të negociatave mes socialistëve dhe me atë pjesë të grupit paralamentar të Partisë Demokratike drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, të mandatuarit e Edi Ramës janë në kërkim të sa më shumë votave pro për kandidaturën e tyre.Në përpjekjen për ta bërë procesin sa më gjithëpërfshirës, pra që presidenti i ri të mos zgjidhet vetëm me 74 votat e socialistëve por të gëzojë edhe pëlqimin e një pjesëze të opozitës, votat duhet të rrjedhin nga ata.

 

Mbetet për tu parë nëse në raundin e katërt që pritet të zhvillohet në javën e parë të qershorit, propozimi i Partisë Socialiste për pasuesin e Ilir Metës do të marrë ose jo ndonjë votë nga opozita, pëveç tre votave të social-demokratëve të Tom Doshit që deri më tani thuasje çdo nismë ligjore të qeverisë i kanë dhënë kartonin jeshil.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *