Dega e Partisë Socialiste në Divjakë dha versionin e saj për ngjarjen e ndodhur në Divjakë këtë të shtunë, ku Elsa Bita u dhunua.

 

Pretendimi i saj është se është dhunuar nga Shefi i Komisariatit Divjakë sepse po filmonte një takim elektoral të PS.

 

Por dega socialiste e mohon diçka të tillë, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një trajnim të komisionerëve.

 

“Partia Socialiste në Divjakë ka zhvilluar sot prej orës 9.00 një takim me qëllim trajnimin e komisionerëve të saj, dy orë para marrjes së materialeve të votimit për ditën e nesërme. Partia Socialiste në Divjakë thekson se ky trajnim është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin zgjedhor e pa cenuar kërrkënd. Trajnimi u zhvillua në prezencë të kryetarit të KZAZ dhe një trajnuesi po të këtij institucioni. Gjatë zhvillimit të këtij takimi dy subjekte politike, kanë keqinformuar opinionin publik në Divjakë dhe institucionet vendore për natyrën e qëllimin e këtij takimi.”

 

Për qytetaren e dhunuar, PS thotë se është penguar teksa përpiqej të futej në sallë me dhunë.

 

“Shtetasja në fjalë ka nisur të fyejë, shajë e shpifë, kërcënojë një pjesë të komisionerëve dhe me forcë fizike ka tentuar disa herë të hyjë brenda ambienteve ku zhvillohej trajnimi. Për shkak të rrezikshmërisë që bart familja me precedentë të theksuar kriminalë ku bën pjesë, drejtuesi i trajnimit ka ndërprerë mbledhjen e ka kërkuar që të gjithë komisionerët të hynin brenda. Duke përfituar nga kjo, shtetasja ka tentuar fizikisht për të disatën herë të hyjë brenda duke sharë e fyer këdo aty, është penguar e rrëzuar në tokë. Si pasojë, ka pësuar një luksacion-tërheqje, të kyçit të dorës, siç thonë mjekët, të cilëve ju paraqit. Partia Socialiste në Divjakë, ka kallëzuar po sot shtetasen në fjalë për veprime të dhunshme me qëllim pengimin e një aktiviteti të ligjshëm të saj, fyerje e shpifje të përsëritura, kërcënime publike e të hapura.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *