Subscribe

Çështja më e nxehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë, përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve, u shndërrua në një pikë debati mes kryeministrit Edi Rama dhe ish ministres së jashtme greke Dora Bakoyannis, në diskutimin për Ballkani Perëndimor përtej 2020-ës në Bashkimin Evropian në Athinë.

 

Pasi vlerësoi se me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis është në drejtimin e duhur për të zgjidhur këtë çështje të mbartur prej vitesh, kreu i qeverisë artikuloi idenë e përfshirjes së një pale të tretë qoftë ky një vend që i do të mirën si Shqipërisë dhe Greqisë qoftë drejtësia ndërkombëtare, me qëllim arritjen e një dakordësi sa më të shpejtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për delimitimin e kufirit detar.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ne jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog me qeverinë e kaluar për disa çështje. Shpesh këto marrëveshje kthehen në çështje të nxehta në politikën lokale. Unë kam një ide shumë të thjeshtë dhe shpresoj që sa më shpejtë të arrijmë dakordësi për të, ne të mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve, pra një pale të tretë që na ndihmon miqësisht ose më mirë nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo mund të jetë e drejtë, objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët atje dhe këtu. Kryeministri grek flet përpara parlamentit grek për një të drejtë legjitime të Greqisë mbështetur në Konventën Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit për të shtrirë kufijtë e vetë detarë me 12 milje dhe kjo shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri. A thua se kryeministri duhet të përgjigjet njerëzve që nuk dinë se çfarë flasin. Gjithmonë kjo ndez pakënaqësi e mosmarrëveshje bazuar në çështje faktike.

 

Ideja e hedhur nga Edi Rama, u kundërshtua nga ish shefja e diplomacisë greke Dora Bakoyannis, që në 2009 firmosi marrëveshjen e detit me Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i jashtëm i Shqipërisë. Ajo refuzoi ndërhyrjen e një faktori të tretë me argumentin se përcaktimi i kufirit detar është një çështje që i përket vetëm Shqipërisë dhe Greqisë.

 

DORA BAKOYANNIS

 

ISH MINISTRE E JASHTME

 

U mërzita shumë kur dëgjova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo nuk përbën një justifikim që ende pas 11 vitesh ne nuk kemi një marrëveshje. Na duhet të punojmë fort për të gjetur një marrëveshje, por për të qene e ndershme, ndërhyrja e vendeve të treta në këto lloj çështjesh nuk ndihmon. Ne e dimë që Turqia ka qenë shumë kundër kësaj marrëveshje.

 

 

Akuzës së ish ministres se jashtme Greke, për ndërhyrje të Turqisë në mosarritjen e marrëveshjes me qeverinë e Sali Berishës 11 vite më parë, Edi Rama iu përgjigj me bindjen se është e pavërtetë.

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për këtë marrëveshje në vitin 2009 dhe në atë kohë kurrë nuk e kisha takuar e kurrë nuk kisha folur me presidentin Taip Erdogan, në atë kohë kryeministër. Ideja se kjo marrëveshje është parandaluar nga ndërhyrja e Turqisë të cilën e kam dëgjuar edhe në Shqipëri nga autoritete të larta të së shkuarës, është e pavërtetë. Mund ta them dhe kjo është vetëm fjala ime pasi nuk gjëra të regjistruara, por asnjëherë në një takim me presidentin Erdogan, nuk kam dëgjuar prej tij, se kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë, është e ndonjë interesi për Turqinë, kurrë. Kjo është e vërteta.

 

Debati mes Edi Ramës dhe Dora Bakoyannis, u pri nga takimi jo zyrtar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut grek Kyriakos Mitsotakis. Pas darkës në mbrëmjen e së Martës ku u diskutua për çështjen e detit, Edi Rama kërkon ndihmën e një miku të mirë për të arritur një marrëveshje sa më të drejtë dhe që të mos keqpërdoret në kurrizin e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy popujve, siç e vlerësoi Edi Rama takimin me Kyriakos Mitsotakis.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *