Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit që kanë sjellë një seri protestash të dhunshme.

 

E ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, Gjermeni thekson se veprimi i punonjësit të policisë është i pafalshëm dhe se ai do të marrë dënimin e merituar, teksa shton se nuk është kurrsesi një veprim i udhëhequr politikisht.

 

“Kjo gjë është e pafalshme. Është veprim i pafalshëm i një punonjësi të policisë, nuk është traditë e policisë, por nuk është as veprim i udhëhequr politikisht, por veprim episodik i një individi, i një punonjësi të policisë, i cili ka bërë një gabim të pafalshëm dhe do të dënohet nga organet e drejtësisë. Ai do të marrë dënimin e merituar. Këto veprime janë sporadike dhe tregojnë që ne duhet të reflektojmë. Duhet të jemi të kujdesshëm! Policia e sotme nuk është ajo e 5 apo 7 viteve më pare. Eshte trajnuar dhe është më afër me qytetarët. Kanë treguar një vetëpërmbajtje në protestat e para një viti dhe duhet vlerësuar.”

 

Sa i përket dorëheqjes së Sandër Lleshajt nga posti i ministrit të Brendshëm, deputetja e konsideroi një akt moral.

 

Gjermeni shprehu vlerësimet e saj në veçanti për babain e viktimës, Qazim Rasha, për të cilin tha se pavarësisht dhimbjes, ai ndalon çdo lloj dhune dhe konflikti që bëhet në emër të djalit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *