Subscribe

Opozita vendosi ne qendër te aksionit parlamentar dënimin per trafik droge te vëllait te ministrit te brendshëm Fatmir Xhafaj.

 

 “Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për ekstradim, ose validimin dhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, të cilat Fatmir Xhafaj nuk i jep dot, provojnë përgjegjësinë ligjore dhe politike të Ministrit të Brendshëm i cili ka shkelur ligjin për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge.”

 

Sipas Bashes, Fatmir Xhafaj ka ndikuar per te mbrojtur te vëllain edhe si kryetar i komisionit te reformës ne drejtësi.

 

“Për Agron Xhafajn është shtrembëruar Kodi i Procedurës Penale përmes një falsifikimi, një vepre penale të Fatmir Xhafajt për të siguruar paprekshmërinë që ai as mos të ekstradohet në Itali, as mos vuajë asnjë ditë dënimi në Shqipëri. “

 

Opozita shfrytëzoi heqjen e mikrofonit per kreun e PD Basha ne përfundim te kohës se caktuar per te folur, per te bllokuar sallën e seancave plenare.

 

Skenari me pas ka qene i njëjte me çdo te enjte gjate javëve te fundit. Ne mungese te mediave, rolin e operatoreve e morën vete politikanet.

 

Pas largimit te opozitës, kryeministri Edi Rama mbrojti ministrin e tij te brendshëm, duke theksuar se kjo është nje çështje e vjetër, e cila përdoret politikisht nga PD per te bllokuar negociatat.

 

 “Dua t’u them që dosja e rizbulimit, në të njëjtën kohë që ka dalë në televizor, ka filluar të shpërndahet në anglisht dhe unë e kam mësuar se çfarë do thoshin këta në televizor, se nuk i ndjek këta, nga ata që dosjen e kishin lexuar anglisht dhe që më pyetën, si ka mundësi dhe pse sot, kur ne presim që Shqipëria, politika shqiptare të provojë çdo ditë, pretendimin e  argumentuar për të hapur negociatat, ne na vënë përpara një dosje që na e kanë vënë përpara shumë kohë më parë, për një fakt që ne e njohim, për një çështje që ne e kemi analizuar dhe e kemi ezauruar?”

 

Por ne debatin per drogën, kryeministri Rama per here te pare ka lidhur rastin e kokainës se kapur ne Maminas me opozitën.

 

“Historia e kokainës së kapur së fundmi nga ne, nga agjencitë tona ligjzbatuese nuk ka filluar dje dhe arrestimi i atij personit është i lidhur me një histori që ka filluar më parë. Një historia që ka filluar më parë, të cilën Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte hetuar më parë.”

 

Mazhoranca si zakonisht nuk ka pasur asnjë problem numrash per te miratuar ligjet e përcaktuara ne rendin e ditës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *