Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka inspektuar këtë të diel zbatimin e masave për karantinën masive që po aplikohet në gjithë vendin.

 

I shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ministri tha se masat po zbatohen dhe njoftoi se të hënën qytetarët do të vazhdojnë regjimin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00. Sipas tij, nuk është koha që qytetarët të bëjnë xhiro, por të ndërgjegjësohen.

 

Ai falenderoi të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për të qëndruar në shtëpi. Po ashtu, shprehu falenderime edhe për forcat e Policisë, të Ushtrisë, të Policisë Bashkiake dhe të agjensive të tjera, të cilat janë angazhuar për të realizuar këtë karantinë masive.

 

“Konstatojmë me trishtim dhe kënaqësi që jemi të detyruar të kemi rrugë të zbrazura, të kemi një situatë që as nuk e kemi imagjinuar që do ta kishim në jetën tonë, por as që do të donim të ishte, por për fat të keq kështu duhet të jetë. Dua të them që masat e marra deri tani janë zbatuar mirë, por dua të theksoj me forcë faktin që prapa këtij aksioni të madh qëndrojnë me qindra e mijëra punonjës të Policisë, të Ushtrisë, të Agjencive të tjera, Policia Bashkiake, pa përmendur ata që janë në frontin e parë, punonjësit e shëndetësisë. Ne duhet të vazhdojmë më tej me një regjim të ashpër masash për arsye sepse edhe një person i vetëm mund të kontribuojë në frenimin apo në pengimin e përhapjes së virusit. Të mos harrojmë që gjithë këta djem e vajza, punonjës të policisë, të ushtrisë apo të njësive të tjera, kanë edhe këta detyrime familjare, kanë familjarë, kanë fëmijë për t’u përkujdesur dhe për këtë arsye ndihem i angazhuar për të marrë të gjithë masat në mbështetje të tyre.”

 

Lleshaj iu bëri thirrje të gjithëve që të kujdesen për fashën orare të caktuar nga qeveria për të dalë nga shtëpia vetëm për të plotësuar nevojat jetike, kryesisht për ushqim dhe barna mjekësore.

 

“Jo për gjë tjetër, nuk është kohë shëtitje nuk është kohë relaksi. Nuk është kohë takimesh me miq e me shokë. Por është kohë vetëm për të vajtur shpejt në dyqanin më të afërt, për të kryer nevojat më jetike për nesër, jo për të gjithë javën dhe për t’u kthyer në shtëpi me qëllim që të parandalojmë me çdo kusht grumbullimet. Është jetike e përsëris dhe nuk është e tepërt ta përsëris, është jetike që në këtë fazë të hershme të përhapjes së virusit ne të shmangim kontaktet. Çdo kontakt i shmangur mund të jetë një jetë e shpëtuar, mund të jetë një degë e re e përhapjes e prerë. Prandaj, edhe një herë, dilni nesër vetëm për të kryer nevoja jetike për plotësim me ushqime dhe medikamente. Asgjë tjetër, as takime, as shëtitje, as kalim të kohës nëpër parqe, apo në vende të tjera publike. Vetëm një rrugë ka, nga shtëpia në dyqanin më të afërt dhe kthim po brenda në shtëpi.”

 

Ministri theksoi se organet e policisë do të jenë të detyruara të ndërhyjnë në rast se qytetarët do të shpërfillin rregullat që kanë për synim sigurinë e tyre dhe të afërmve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *