Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj mirëpret metodologjinë e re të detajuar të Bashkimit Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

 

Përmes një postimi në “Facebook”, Cakaj shprehet se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë reformat përmbajtësore e transformimin rrënjësor në përputhje me parimet e metodologjisë së re dhe pret hapjen e bisedimeve për anëtarësim brenda 2020.

 

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian qartazi kërkon më shumë besueshmëri, parashikueshmëri, mbështetje më të madhe politike e zhvillim më dinamik. Prandaj, ne mirëpresim metodologjinë e re të përpiluar nga Bashkimi Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.”

 

Sipas tij, Platforma e re e Komisionit Evropian është po ashtu një investim afatgjatë gjeostrategjik në stabilitetin, zhvillimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor në tërësi.

 

Komisioni Europian prezantoi këtë të mërkurë metodologjine e detajuar të zgjerimit në Komitetin e Politikave të Jashtme në Parlamentin Europian, e cila do të jetë e aplikueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *