Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë këtë të hënë në prezantimin e projektbuxhetit për sektorët e shëndetësisë për vitin 2021.

Në fjalën e saj, Manastirliu deklaroi se buxheti i vitit 2021 është financimi publik më i madh për Shëndetësinë.

“Me buxhetin e 2021 do të ketë një rritje në 40% të pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe si asnjeherë më parë ky buxhet mbështet mjekët dhe infermierët”,  theksoi ministrja .

Ajo shtoi se do të vijohet me ndërtimin e maternitetit të ri të Beratit, Lezhës dhe Kukësit.

“Gjithashtu, do të vijohet me hapjen e kantiereve të reja për rikonstruksionin e pediatrisë në spitalin e Elbasanit, për rikonstruksionin dhe rindërtimin e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Tiranë, rikonstruksionin e kirurgjisë dhe urgjencës në spitalin rajonal Shkodër, rikonstruksionin e sallave të lindjes, repartit të neonatologjisë dhe repartit të urgjencë – pranimit dhe pajisje mjekësore në Maternitetin Koço Gliozheni, rikonstruksioni i godinës së spitalit Prrenjas dhe pajisjen për Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin e ri të Pediatrisë në QSUT.”

Ministrja deklaroi se projektbuxheti i sektorit të mbrojtjes sociale për vitin 2021 është parashikuar 25,479,260 mijë lekë për familje, individë në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.

“Në total për programin e NE parashikohen 4,634,460 mijë lekë për vitin 2021. Përfitimet e aftësisë së kufizuar do të rishikohen dhe do të mundësohet mbështetja me pagesa më të larta të atyre individëve më aftësi të kufizuar që kanë një gjendje shëndetësore më të rënduar dhe që kanë më shumë barriera për tu përfshirë në jetën shoqërore. Në total, për pagesën e aftësisë së kufizuar për vitin 2021 janë parashikuar 16 miliard e 501 milion e 635 mijë lekë (2021) për 172 mijë përfitues”, theksoi Manastirliu.

Ndërkohë, buxheti 2021 për shëndetësinë parashikohet të jetë 81 miliardë e 836 milionë e 605 mijë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *