Mbretëria e Bashkuar thotë se ka shtuar disa miliarderë rusë të profilit të lartë në listën e saj të sanksioneve, duke përfshirë Roman Abramovichin, pronarin miliarder të klubit të futbollit në Premier League, Chelsea, dhe industrialistin Oleg Deripaska, i cili ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës që Moska filloi me Ukrainë muajin e kaluar.

 

Qeveria britanike tha në një deklaratë më 10 mars se lista e re përfshin gjithashtu shefin ekzekutiv të Rosneft-it (kompania e naftës) Igor Sechin, kryetarin e Bankës VTB, Andrey Kostin, shefin e Gazprom-it Aleksei Miller, pronarin e firmës së tubacionit Transeft, Nikolai Tokarev, dhe kryetarin e Bank Rossiya, Dmitry Lebedev.

 

Lëvizja, e ndërmarrë si përgjigje kundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, ngrin asetet e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendos një ndalim udhëtimi për ata që janë në listë, që do të thotë se atyre u ndalohet të vizitojnë Mbretërinë e Bashkuar dhe ndalohen nga transaksionet me individë dhe biznese të Mbretërisë së Bashkuar.

 

Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Që atëherë, shumë vende perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Moskës dhe shumë zyrtarëve rusë dhe miliarderëve, të cilët shihen se kanë lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.

 

Më 7 mars, Deripaska tha se paqja ishte e nevojshme “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar “e gjithë bota do të jetë ndryshe pas këtyre ngjarjeve dhe Rusia do të jetë ndryshe”. Abramovich, 55-vjeçar, i cili ka në pronësi Chelsean që nga viti 2003, nxori në shitje klubin e futbollit në fillim të këtij muaji dhe premtoi të dhuronte para nga të ardhurat për të ndihmuar viktimat e luftës në Ukrainë./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *