Drejtuesi politik i fushatës së Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit, Blendi Klosi u shpreh se socialistët synojnë të marrin 7 deputetë në këtë qark në 25 prill.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Klosi u shpreh i bindur se PS do të sigurojë një fitore historike në këto zgjedhje.

Me ikjen e Nasip Naços nga radhët e LSI-së dhe bashkimin me PS-në, Klosi beson se do të marrin rezultate pozitive edhe në zonë e Skraparit, bastion i LSI.

“Synojmë të marrim shtatë deputetë, aq sa janë. Ne garojmë për të fituar në qarkun e Beratit dhe në të gjithë Shqipërinë. Kërkojmë të marrim mandatin e pestë. Ky është objektivi ynë minimalist. Është një votë që u ka takuar gjithmonë të majtëve në Berat. Do të kemi një mbështetje të mirë të qytetarëve të Beratit, për të shkuar në mandatin tonë të pestë, duke shënuar një fitore historike, qark që gjithmonë i ka dhënë fitore të majtës. Synimi ynë: të rikthejmë atë votë që i takon Ramës në Berat. Unë me Nasip Nacon kemi bashkuar forcat për të grupuar këtë votë të majtë në qark, duke pasur bindjen që ne përfaqësojmë një forcë që ka sjellë ndryshim në qarkun e Beratit. Janë bërë investime të konsiderueshme, kanë marrë një hov shumë të madh.”

I pyetur për bilancin që socialistët kanë për qarkun e Beratit në mënyrë që banorët t’iu besojnë, Klosi pohoi:

“Në qarkun e Beratit janë krijuar dy biznese: turizmi dhe agro përpunimi. 2020 ishte një vit i keq për ekonominë, por këto dy sektorë të rinj, të zhvilluar masivisht në këtë qark, japin një moment të rëndësishëm në ekonominë e qarkut. Aeroporti i ri i Kuçovës është një premisë e jashtëzakonshme për qarkun tim. Kemi kaq shumë projekte dhe punë për këtë qark. Mund të kishim bërë më shumë, por shkojmë në garim të qetë sepse besojmë që kemi një mbështetje shumë të madhe.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *