Avokati Spartak Ngjela ka komentuar vendimin e Lefter Kokës, i cili dorëzoi këtë të mërkurë mandatin e deputetit.

 

Dorëheqja e deputetit Koka, sipas Ngjelës, tregoi se mazhoranca socialiste do ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit në mënyrë rigoroze.

 

Ai u ndal edhe te ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur non grata në Amerikë, për të cilin tha se nuk do t’i jepet mandati as nga KQZ dhe as nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Statusi i plotë i Spartak Ngjelës:

Sot u tërhoq dhe dorëzoi mandatin e deputetit edhe një tjetër deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e ri që pritet të mblidhet në datën 10 shtator të këtij viti. Deputeti Lefter Koka.

Po, a do të jetë ky një proces për të gjithë deputetët që janë shpallur nongrata në Amerikë? Departamenti i Shtetit amerikan ka thënë se, përveç Sali Berishës, non grata janë shpallur edhe disa të tjerë.

l.

Kërkesa amerikane për të mos lejuar në Kuvendin e Shqipërisë personat që janë shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara, duket se po merr udhën e saj brenda Ligjit për Dekriminalizimin, i cili në nenin 2 pika 2 të tij, shprehet qartë që këtyre personave u hiqet mandati i deputetit.

Kjo udhë ligjore, e nisur me dorëheqjen e sotme, na jep të kuptuar se Sali Berishës, që është shpallur non grata në Amerikë, nuk do t’i jepet mandati as nga KQZ dhe as nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, komisione këto që janë me shumicë socialiste. Dhe mandati i deputetit certifikohet vetëm nga këta dy institucione, në zbatim të kushtetutës dhe ligjit.

ll.

Nga e gjithë kjo tablo jurudiko-politike kuptojmë se, në këtë rast, kryeministri Rama dhe maxhoranca socialiste po tregon se nuk do të luajë me dy pesha e me dy masa, por vetëm me një peshë e me një masë, në lidhje me zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin, i cili e shpreh hapur në nenin 2 pika 2 të tij se, “personi i shpallur non grata nga Departamenti i Shtetit amerikan, nuk mund ta mbajë mandatin e deputetit”.

Dhe ky ligj ka arsye të shëndoshë në këtë qëndrim, sepse një gjë e tillë zbatohet edhe për personat që janë non grata në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Në fakt, ky nen i këtij ligji, paraqet personalitetin ndërkombëtar të Shqipërisë në lidhje me vendet qytetërimit perëndimor, dhe dinjitetin historik shqiptar që e shpall hapur qëndrimin e vet historik perëndimor kundër çdo lëvizje antiperëndimore në Shqipëri.

Dorëheqja e deputetit Koka, i zgjedhur në zgjedhjet e prillit, tregoi se mazhoranca socialiste do ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit në mënyrë rigoroze. Por, a do të ketë dhe dorëheqje të tjera deputetësh?

Të shohim se si do të precipitojnë ngjarjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *