Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës ka krijuar tashmë një realitet të ri. Në Gjermani dhe në Bashkimin Europian shumë gjëra nuk mund të mbeten ashtu siç janë.
Politika fillon me vështrimin e realitetit, sidomos atëherë kur ky realitet nuk na pëlqen. Pjesë e realitetit është se në Europë është kthyer Imperializmi. Shumë njerëz shpresonin se rrjetëzimi më i ngushtë ekonomik dhe varësitë e ndërsjellta do të ndikojnë njëkohësisht në stabilitet dhe në siguri. Këtë shpresë dukshëm e ka shkatërruar Putini me luftën e tij kundër Ukrainës. Raketat ruse nuk kanë shkaktuar vetëm shkatërrime masive në Harkiv, Mariupol dhe Kerson, por kanë bërë pluhur e hi edhe rendin paqësor europian dhe ndërkombëtar të dekadave të fundit.
Për më tepër gjendja e strukturave tona të mbrojtjes civile dhe të Bundeswehr-it, por edhe varësia jonë e tepruar në energjinë ruse, tregojnë se kemi ndjerë një ndjenjë të rreme sigurie pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Politika, biznesi dhe pjesë të mëdha të shoqërisë sonë ishin shumë të lumtura për të nxjerrë përfundime të gjera nga thënia e një ish-ministri gjerman të mbrojtjes, sipas të cilit Gjermania ishte e rrethuar vetëm nga miqtë. Ky ishte një gabim.
Pas pikës së kthesës, që nënkupton sulmin e Putinit, asgjë nuk është siç ishte dhe kjo është arsyeja pse gjërat nuk mund të qëndrojnë ashtu siç janë! Por, vetëm përcaktimi i një pike kthese nuk është një program. Nga pika e kthesës vjen një mandat veprimi për vendin tonë, për Evropën, për komunitetin ndërkombëtar. Ne duhet ta bëjmë Gjermaninë më të sigurtë dhe elastike, Bashkimin Europian më sovran dhe rendin ndërkombëtar më të qëndrueshëm.
Sanksionet kanë filluar të kenë ndikim.
Në realitetin e ri përfshihen 100 miliardë euro, të cilat i vendosëm si një fond special për Bundeswehr-in. Ato shënojnë kthesën më të madhe në politikën e sigurisë të Republikës Federale të Gjermanisë. Ne po pajisim gratë dhe burrat tanë ushtarakë me materiale dhe aftësitë që u nevojiten për të mbrojtur me forcë vendin tonë dhe aleatët tanë në këtë epokë të re. Ne po thjeshtojmë dhe përshpejtojmë procesin e rëndë të prokurimit.
Ne e mbështesim Ukrainën për aq kohë sa ajo ka nevojë: ekonomikisht, në formë humanitare, financiarisht dhe duke e furnizuar me armë. Në të njëjtën kohë ne sigurojmë që NATO të mos bëhet palë lufte. Dhe në fund, ne i japim fund varësisë sonë energjitike ndaj Rusisë. Këtë e kemi arritur tashmë me qymyr. Ne duam të ndalojmë importet ruse të naftës deri në fund të vitit. Në rastin e gazit, pjesa e importeve nga Rusia tashmë ka rënë nga 55% në 30%.
Kjo rrugë nuk është e lehtë, as për një vend të fortë e të begatë si i yni. Ne do të kemi nevojë për fuqi të qëndrueshme. Shumë qytetarë tashmë po vuajnë nga pasojat e luftës, mbi të gjitha nga çmimet e larta të naftës dhe ushqimeve. Shumë janë të shqetësuar për faturat e ardhshme të energjisë elektrike, naftës ose gazit. Prandaj, qeveria federale ka nisur një ndihmë financiare prej mbi 30 miliardë eurosh për të mbështetur qytetarët e saj. Masat e ndryshme tashmë kanë filluar të hyjnë në fuqi.
Por e vërteta është se ekonomia globale po përballet me një sfidë që nuk është parë prej dekadash. Zinxhirët e ndërprerë të furnizimit, pakësimi i lëndëve të para, pasiguria në tregjet energjitike të shkaktuara nga lufta dhe të gjitha këto kanë sjellë rritje të çmimeve në mbarë botën. Asnjë vend në botë nuk mund të qëndrojë i vetëm kundër një zhvillimi të tillë. Ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe të bashkojmë duart, siç kemi rënë dakord në këtë vend si pjesë e aksionit të bashkërenduar midis punëdhënësve, sindikatave, shkencës dhe vendimmarrësve politikë. Atëherë do të dalim nga kriza më të fortë dhe më të pavarur se sa kemi hyrë në të, për këtë jam i bindur.
Ky është qëllimi ynë!
Si qeveri e re, kemi vendosur herët që të çlirohemi nga varësia jonë energjitike nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur. Qysh në dhjetorin e kaluar, dy muaj para fillimit të luftës, ne u morëm me çështjen se si mund të siguronim furnizimin me energji të vendit tonë nëse më e keqja do të ndodhte. Kur Putini filloi luftën e tij në shkurt, ne ishim në gjendje të vepronim. Planet, për shembull për diversifikimin e furnizuesve tanë ose ndërtimin e terminaleve të gazit të lëngshëm, ishin në tryezë. Ato tani do të trajtohen me guxim. Megjithatë, përkohësisht dhe me zemër të rënduar, ne duhet të rifusim në rrjet termocentralet me qymyr. Ne kemi përcaktuar nivelet minimale të mbushjes për rezervuarët e depozitimit të gazit – çuditërisht, kjo nuk ekzistonte më parë. Sot ato tashmë janë mbushur shumë herë më mirë se në të njëtën periudhë vitin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi aktual na inkurajon në synimin tonë për të zgjeruar energjitë e rinovueshme shumë më shpejt se më parë. Prandaj, qeveria federale ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e planifikimit për termocentralet diellore dhe të erës dhe është gjithashtu e vërtetë se sa më shumë energji të mund të kursejmë të gjithë, si industria, familjet, qytetet dhe komunitetet në muajt e ardhshëm, aq më mirë.
Ne nuk po ecim vetëm në këtë rrugë. Ne jemi të bashkuar në Bashkimin Europian, me NATO-n, jemi të lidhur si aleancë e fortë ushtarake. Ne veprojmë me bindjet e forta, si nga solidariteti me kërcënimin ekzistencial të Ukrainës, por edhe për të mbrojtur sigurinë tonë. Kur Putini ndërpret furnizimin me gaz, ai përdor energjinë si armë, përfshirë edhe kundër nesh. As Bashkimi Sovjetik nuk e bëri këtë gjatë Luftës së Ftohtë.
Premtimi për anëtarësim vlen.
Nëse nuk e kundërshtojmë agresionin e Putinit tani, ai mund të vazhdojë. E pamë: pushtimin e Gjeorgjisë në vitin 2008, pastaj aneksimin e Krimesë në 2014-ën, sulmin në Ukrainën Lindore dhe në fund, në shkurt të këtij viti në të gjithë vendin. Të lejojmë që Putini të tejkalojë këtë, do të thotë se dhuna mund të shkelë ligjin pa asnjë pasojë.
Në fund, liria dhe siguria jonë do të ishin gjithashtu në rrezik.
“Ne nuk mund të përjashtojmë më një sulm ndaj integritetit territorial të aleatëve”. Kjo fjali është në konceptin e ri strategjik të NATO-s, të cilin 30 aleatët vendosën bashkërisht në samitin e tyre në Madrid në fund të qershorit. Ne e marrim seriozisht dhe veprojmë në përputhje me rrethanat.
Gjermania do të rrisë ndjeshëm praninë e saj në zonën e aleancës lindore, në Lituani, në Sllovaki dhe në Detin Baltik. Ne e bëjmë këtë për të penguar Rusinë të sulmojë aleancën tonë. Në të njëjtën kohë ne e bëjmë të qartë se po, ne jemi të gatshëm të mbrojmë çdo pjesë të territorit të Aleancës, ashtu siç do të mbronim vendin tonë. Ne e japim këtë premtim dhe ne mund të mbështetemi në këtë si edhe tek secili prej aleatëve tanë për këtë premtim.
Një pjesë e realitetit të ri është se Bashkimi Europian është afruar më shumë së bashku muajt e fundit. Ai ka reaguar me unanimitet të madh ndaj agresionit të Rusisë dhe ka vendosur sanksione të ashpra të paprecedentë. Ata punojnë çdo ditë e më shumë.
Putini nuk duhet të gabojë, ne e dinim që në fillim se mund të na duhej t’i mbajmë sanksionet tona për një kohë të gjatë dhe është gjithashtu e qartë për ne se asnjë prej këtyre sanksioneve nuk do të hiqet për një paqe të diktuar nga Rusia.
Për Rusinë, nuk ka rrugëdalje nga një marrëveshje me Ukrainën të cilën ukrainasit nuk e pranojnë. Putini dëshiron ta ndajë kontinentin tonë në zona ndikimi, në fuqi të mëdha dhe shtete vasale.
Ne e dimë se në çfarë katastrofash na ka çuar ne europianëve kjo. Prandaj, në Këshillin Europian, në takimin më të fundit, ne dhamë një përgjigje të qartë, një përgjigje që do të ndryshojë përgjithmonë fytyrën e Europës, ne i dhamë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit dhe riafirmuam të ardhmen europiane Gjeorgjisë. Kemi qartësuar se më në fund duhet të bëhet realitet perspektiva e anëtarësimit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky premtim vlen.
Këto vende janë pjesë e familjes sonë europiane. I duam në Bashkimin Evropian. Natyrisht rruga deri aty është e shtruar me parakushte. Është me rëndësi që kjo të thuhet hapur, sepse asgjë s’do të ishte më keq se sa të ngjallen shpresa të rrejshme. Por rruga është e hapur dhe caku i qartë.
Në Europë po mbyllen radhët.
Vitet e fundit shpesh janë bërë thirrje dhe me të drejtë që BE-ja të bëhet një aktor gjeopolitik. Një pretendim ambicioz, por i vërtetë! Me vendimet historike të muajve të fundit, Bashkimi Europian ka bërë një hap të madh në këtë drejtim. Me vendosmëri dhe unitet ne thamë: Neoimperializmi i Putinit nuk duhet të ketë sukses. Por, ne nuk duhet të ndalemi me kaq.
Qëllimi ynë duhet të jetë mbyllja e radhëve tona në të gjitha ato fusha në të cilat ne në Europë kemi luftuar për t’i zgjidhur për një kohë të gjatë, për shembull, politikën e migracionit, ndërtimin e një mbrojtjeje europiane, sovranitetin teknologjik dhe qëndrueshmërinë demokratike. Gjermania do të bëjë propozime konkrete për këtë në muajt e ardhshëm.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për pasojat e vendimit tonë për një Bashkim Europian gjeopolitik. Bashkimi Europian është antiteza e gjallë e imperializmit dhe autokracisë. Kjo është arsyeja pse ajo është një gjemb në këmbë për ata që janë në pushtet si Putin. Përçarja e përhershme, mospajtimi i përhershëm mes shteteve anëtare na dobëson.
Kjo është arsyeja pse përgjigja më e rëndësishme e Europës ndaj kësaj pike kthese është uniteti. Absolutisht duhet ta ruajmë dhe duhet ta thellojmë atë. Për mua kjo do të thotë: Jo më bllokada egoiste të vendimeve europiane nga shtetet individuale anëtare. Nuk ka më përpjekje vetjake kombëtare që dëmtojnë Europën në tërësi. Ne thjesht nuk mund të përballojmë më veton kombëtare në politikën e jashtme nëse duam të vazhdojmë të dëgjohemi në një botë të fuqive të mëdha konkurruese.
Edhe globalisht kjo pikë kthese në kohë po vepron si një xham djegës: duke përkeqësuar problemet ekzistuese si varfëria, uria, zinxhirët e prishur të furnizimit dhe mungesat e energjisë. Dhe duke na treguar brutalisht pasojat e një politike të pushtetit imperialist dhe revanshist. Marrëdhëniet e Putinit me Ukrainën dhe vendet e tjera në Europën Lindore kanë tipare neo-koloniale. Ai haptazi ëndërron të ndërtojë një perandori të re bazuar në modelin e Bashkimit Sovjetik ose Perandorisë Cariste.
Autokratët e botës po e shikojnë me shumë vëmendje për të parë nëse ai ka sukses. A zbatohet ligji i më të fortit apo forca e ligjit në shekullin e 21? Në botën tonë shumë polare, a do të zëvendësojë ky çrregullim një rendi botëror shumëpalësh? Këto janë pyetje që ne i bëjmë vetes në mënyrë shumë specifike.
Së bashku me vendet e Jugut Global.
Nga bisedat me partnerët tanë në Jugun Global kam kuptuar se shumë prej tyre e shohin rrezikun. Megjithatë, për shumë njerëz, lufta në Evropë është shumë larg, ndërsa pasojat ndihen drejtpërdrejt. Në këtë situatë, i’a vlen të shohim se çfarë na lidh me shumë me vendet e Jugut Global: përkushtimi ndaj demokracisë sado i ndryshëm të jetë në vendet tona, Karta e Kombeve të Bashkuara, shteti i së drejtës, vlerat themelore të lirisë, barazia, solidariteti, dinjiteti i çdo njeriu. Këto vlera nuk janë të lidhura me Perëndimin si vendndodhje gjeografike, por ne i ndajmë ato me qytetarët në mbarë botën.
Për të mbrojtur këto vlera kundër autokracisë dhe autoritarizmit, ne kemi nevojë për një bashkëpunim të ri global të demokracive përtej Perëndimit klasik.
Në mënyrë që kjo të ketë sukses, ne duhet t’i bëjmë shqetësimet e Jugut Global shqetësimet tona, duhet t’i shmangim standardet e dyfishta dhe t’i mbajmë premtimet tona ndaj këtyre vendeve. Shpesh ne kemi pretenduar “për barazi”, por në fakt nuk i’a kemi dalë. Ne duhet ta ndryshojmë këtë, sepse shumë vende në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine kanë qenë prej kohësh në pozitë të barabartë me ne përsa i përket popullsisë dhe fuqisë së tyre ekonomike.
Unë ftova qëllimisht kolegët e mi nga India, Afrika e Jugut, Indonezia, Senegali dhe Argjentina në samitin e G7 së fundmi në Gjermani. Ne jemi me ta dhe me shumë vende të tjera demokratike në procesin e zhvillimit të zgjidhjeve për problemet e kohës sonë, krizën ushqimore, ndryshimet klimaterike apo pandeminë. Ne kemi bërë përparim të prekshëm në të gjitha këto fusha në samitin e G7-ës. Nga ky progres rritet besimi -besimi edhe në vendin tonë.
Vlera e demokracisë dhe lirisë.
Kjo mund të ndërtohet nëse Gjermania merr përgjegjësinë për Europën dhe botën në këto kohë të vështira. Udhëheqja ka kuptim vetëm me bashkë-udhëheqje, në të dy kuptimet e fjalës, duke gjetur zgjidhje së bashku me të tjerët dhe duke mos ecur vetëm. Gjithashtu, duke bashkuar Lindjen dhe Perëndimin, Veriun dhe Jugun në Europë si një vend në mes të Europës, si një vend që shtrihet në të dy anët e Perdes së Hekurt.
Gjermania dhe Europa janë të ngrira për t’u vetë siguruar, shoqëri post-heroike, të paafta për të mbrojtur vlerat e tyre kundër rezistencës,-kështu tingëllon propaganda e Putinit. Kështu kanë gjykuar disa vëzhgues këtu me ne kohët e fundit. Në muajt e fundit ne kemi përjetuar një realitet tjetër, të ri.
Bashkimi Europian është më tërheqës se kurrë, ai po hapet ndaj anëtarëve të rinj dhe do të reformohet në të njëjtën kohë. Rrallherë NATO ka qenë kaq e gjallë, ajo po rritet me Suedinë dhe Finlandën, dy miq të fortë. Vendet demokratike në mbarë botën po afrohen më shumë dhe po shfaqen aleanca të reja.
Gjermania po ndryshon gjithashtu në dritën e pikës së kthesës. Ajo na bën të vetëdijshëm për vlerën e demokracisë e lirisë dhe se ato i’a vlen të mbrohen. Kjo liron fuqi të re, fuqi që do të na duhet në muajt e ardhshëm. Fuqi me të cilën ne mund të formojmë së bashku të ardhmen. Fuqia që vendi ynë e ka brenda vetes dhe në realitet./ Olaf Scholz-Kancelar i Gjermanisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *