Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se po kap dhe shkatërron reformën në drejtësi. Ai u shpreh për mediat mëngjesin e kësaj të premteje se vendi është në krizë të thellë. Deklaratat ai i bëri pas mbledhjes që pati me ekspertët e Komisionit të Venecias.

 

“Shqipëria është në krizë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë janë këto janë lëvizje të çoroditura të një pushteti që nuk pret as Komisionin e Venecias, por ka çuar masa të tjera në Kuvend për të kapur ligjin. Po merren masa për kapjen e drejtësisë. Kjo ka çuar vendin në kolaps total. E drejta e qytetarëve është e kërcënuar. Republika e Shqipëria nuk është e qytetarëve, por e grushti pushtetarësh dhe oligarkësh, që kanë kapur zgjedhjet, parlamentin, gjykatat, bashkitë. Sot ata kanë kapur shtetin. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shteti ligjor. Me Komisionin e Venecias diskutuam mbi gjendjen problematike në vend që nga fillim i kapjes së drejtësisë dhe shkatërrimi i reformës në drejtësi. Por diskutuam dhe rrugën e daljes, që të kthehet legjitimiteti i institucionit.”

 

Kryedemokrati nuk la pa përmendur edhe zgjedhjet e parakohshme. Sipas Bashës, këto zgjedhje janë të nevojshme që të zgjidhet kriza.

 

“Zgjidhja që kërkojmë se kërkojmë për veten. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugë një zgjidhje politike për shqiptarët. Nëse ata do të vazhdojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme paratë e pista dhe të vendos interesat e pushtetit të vet dhe të oligarkëve kundër qytetarëve, atëherë opozita dhe qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqëria europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.”

 

Ekspertët e Komisionit të Venecias ndodhen në Tiranë për të mbledhur fakte dhe për t’u informuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Debati u hap për emrin e Arta Vorpsit, e cila nuk e kreu betimin si gjyqtare para presidentit Ilir Meta. Të enjten ekspertët u takuan edhe me kreun e shtetit, i cili shfrytëzoi takimin për të sulmuar indirekt ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *