Subscribe

11 ditë pas ekstradimit nga Gjermania, gjykata e krimeve të rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për Arber Çekajn, i akuzuar për trafikimin e 613 kg kokainë nga Kolumbia shkurtin e vitit të kaluar.

 

E njëjta kërkesë u pranua edhe për dy të pandehurit e tjerë në këtë proces, menaxherin e kompanisë “ Arbri Garden ”, Donaldo Lushaj dhe shoferin e kamionit që tërhoqi kontenierin me banane, Armando Pezaku.

 

Avokati i këtij të fundit i cilësoi pretendimet e prokurorisë si absurde në kushtet kur klienti i tij ka qenë një shofer i zakonshëm i një kompanie dhe paguhej me vetëm 35 mijë lek në muaj.

 

Edhe avokati i donaldo lushajt kërkoi nga organi akuzës të qartësojë pozicionin e klientit të tij si anëtar i këtij grupi kriminal. Ndërsa avokati i Arbër Çekajt, Maksim Haxhia i tha gjykatës se klienti i tij mban vetëm një mbiemër,  jo edhe ” Kuliçaj ” siç përmendet me tendencë nga prokuroria dhe policia.

 

Në kërkesën për gjykim prokurori Edvin Kondili tha se Çekaj kishte rolin e garantorit të transportit të kokainës ndërsa dy të bashkëpandehurit e tjerë ishin të besuar të tij dhe kishin si rol tërheqjen e saj nga Porti i Durrësit.

 

Prokurori tha po ashtu se autoritetet ndërhynë gjatë transportimit të drogës nga porti në magazinën në maminas pasi lënda narkotike mund të humbiste dhe nuk kishte mundësi survejni e ndjekje për më tej, për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë.

 

Seanca e rradhës kur prokuroria pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe pretencën u la për më 15 tetor.

 

Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku akuzohen për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. Ata rrezikojnë dënimin nga 15 deri në 20 vjet burg, por do të përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *