Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga tre anëtarë nuk arriti dot sot të merrte një vendim për t’i kaluar Mbledhjes së Gjyqtarëve ankimin e kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nga funksionet, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, Kolegji nuk shprehet për kalimin ose jo të një çështjeje në seancë plenare, por për moskalimin ose jo të saj. Dhe në këtë rast “vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji merret njëzëri”.
Duke qenë se trupa e tre anëtarëve që përbënin kolegjin, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, nuk ka patur unanimitet për moskalimin, atëherë çështja i ka kaluar mbledhjes së gjyqtarëve për t’u shprehur. Edhe Mbledhja e gjyqtarëve, po ashtu si kolegji, do të duhet të vendosë për moskalimin “me shumicë votash”
Shemsi Prençi, ekspert kriminalistike, i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt tha se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ishte prej 9 muajsh nën hetim dhe më 31 tetor u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK. Me urdhër të SPAK, GJKKO vendosi dy masa sigurie ndaj Ballukut, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. Prençi theksoi se vendosja e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” është kompetencë e Gjykatës dhe e asnjë pushteti tjetër.
Prençi: Rasti i Ballukut është rast për tu studiuar nga juristët në Shqipëri sepse Balluku ka mbi 9 muaj që është marrë nën hetim. Në 31 tetor është marrë e pandehur. SPAK dhe GJKKO kanë respektuar edhe të qenit nënë dhe grua dhe nuk kanë kaluar në masa të rënda. I lanë kohë për ta vlerësuar dorëheqjen, për ta lejuar SPAK dhe GJKKO që te procedonte konform kodit të procedurës penale. Kryeministri i Shqipërisë mori pozicionin e avokatit. Gjykata në gjykimin tim ka vepruar drejt bazuar në kërkesat dhe argumentet e paraqitur nga SPAK. Mos harrojmë diçka. Unë jam i bindur se nëse do të argumentohet me gjakftohtësi, fakti që nuk ekziston një konflikt juridik mes GJKKO dhe kryeministrisë (sepse nuk ekziston ky konflikt), Gjykata ka vendosur masën e pezullimit kompetencë që nuk e ka kryeministri…pezullimi si masë sigurie është kompetencë vetëm e gjykatës, nuk njeh pushtet tjetër./vizionplus.tv





