Taulant Balla shprehet se Parlamenti Evropian nuk tërhiqet nga pozicioni për të filluar bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në “Facebook”, numri dy i socialistëve shkruan se Komisioni Europian ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se Shqipëria meriton të kalojë në fazën finale drejt anëtarësimit.

Sipas Ballës, në fund të muajit mars, vendet e BE-së duhet të hapin dritën jeshile për të dy vendet e Ballkanit.

 

“Filluam sot një ditë intensive në Parlamentin Europian ku takimi i parë ishte me Raporteren për Shqipërinë Isabel Santos. Gjithashtu më pas u takova edhe me bashkë-Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis.

Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.

Për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit europian, Presidenti i Parlamentit David Sassoli ka ftuar sot pasdite në Bruksel drejtuesit kryesorë të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor sëbashku me drejtues të vetë Parlamentit Europian, në një Takim të Nivelit të Lartë “Ballkani Perëndimor – Një rrugë shkëmbore për zgjerimin”. Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për seicilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit”.

 

Ndër të tjera, Balla thekson se miratimi dhe shpallja më 5 shkurt i Metodologjisë së re për Zgjerimin, është një mundësi e mirë për të shuar divergjencat mes vendeve anëtare.

 

“Ruajtja e një perspektive të besueshme në perspektivën e anëtarësimit në të ardhmen është vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe për Bashkimin Europian. Në Rezolutën e miratuar më 24 Tetor nga Parlamenti Europian, eurodeputetët shprehën zhgënjimin e thellë mbi dështimin e një dakordësie mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *