Subscribe

Një ekspozitë me minj të balsamosur mund të duket e çuditshme, për disa edhe tmerruese. Kjo ishte ndjesia e parë që artistja austriake Debora Sengl përjetoi kur lexoi veprën e Gunter Grass. Shtysën për ta përcjellë si ekspozitë këtë vepër letrare e mori kur e pa të përshtatur veprën nën titullin “Ditët e fundit të njerëzimit”.

 

“Minjtë janë të mirë për metafora. Ato janë krijesat që përdorin mjekët për produktet medicinale dhe kozmetike. Ato janë krijesat e para që ndjejnë tronditjet e tokës, në raste tërmetesh, por në kontestin që e kam sjellë unë edhe në tronditjet nga lufta, atëherë kur mendojmë se kjo mund të jetë dita e fundit e njerëzimit. Kritikët e mi mendojnë se punë ime është një satirë.”

 

E ajo është satirike në çdo kënd të kësaj ekspozite, satirike ndaj padrejtësive, dhunës dhe kaosit që vjen në gjendje lufte.

 

Diku minjtë mbajnë gazeta, të tjerë shpërndajnë lajme vdekjesh, një prift mi udhëzon kolonelët në luftë, ndërsa në një tjetër cep disa janë në gostinë e fundit. Kjo është darka e fundit e luftës, ndërsa diku ushtarë të braktisur janë nisur drejt vdekjes. Këta minj janë në këtë ekspozitë metafora e njeriut të sotëm, që jeton një nga ditët e fundit të njerëzimit.

 

“I kam zgjedhur të gjithë të bardhë si shenjë të pafajësisë dhe si për të thënë se në këtë botë të gjithë jemi njëlloj. Të gjithë ne duam të dalim të pafajshëm nga çdo situatë e keqe që na ndodh. Unë mendoj se të gjithë kemi pjesën tonë të fajit në shoqëri. Ka vetëm një mi të zi dhe ai simbolizon autorin, krijuesin, që i sheh të vërtetat si janë.”

 

Ekspozita nuk ka skulptura, as piktura, e as një lloj të përcaktuar mediumi artistik. Ka shumë metafora, simbole e satirë. Është histori, letërsi dhe art. Kjo e bën të veçantë ekspozitën më të re në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *