Meta rrëzohet sërish nga Apeli, Gjykata vendos që ish-Presidenti të qëndrojë në burg
Ish-Presidenti i republikës Ilir Meta do vijojë të qëndrojë në izolim. Këtë të premte pas kërkesës së bërë nga avokati i tij për heqjen e masës shtrënguese të sigurisë, Gjykata e Apelit të Posaçëm e la sërish në qelinë e 313-s.
Avokati Kujtim Cakrani thotë se kërkesa e tij për të përjashtuar Gjykatësen Saida Dollani, jo vetëm që nuk u pranua, por përfundoi me gjobitjen e tij, sepse gjyqtari Florian Kalaja e konsideroi të padrejtë.
“Gjyqtari Florian Kalaja s’e përjashtoi se ajo kishte gjykuar më parë një çështje dhe më sanksionoi edhe mua me 10 mijë lekë gjobë ose 100 mijë lekë për shkak të kërkesës së padrejtë që kisha bërë për përjashtimin e gjyqtares. Ne kërkuam që të shuhet masa e sigurimit presidentit se i kanë kaluar të gjitha afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës dhe Kushtetutë”, tha Cakrani.
Megjithatë një fije shprese për avokatin mbetet Kushtetutesja.
“Në fillim të dhjetorit ndoshta gjykata kushtetuese jep vendimin e duhur”, tha avokati
Vendimi nëse dosja Meta do të kalojë apo jo për gjykim do të merret në 17 nëntor. SPAK zgjati hetimet për ish presidentin dhe ish- bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi deri në tetor të këtij viti.
Meta akuzohet se ka kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje të origjinës së tyre në lidhje me dosjet Cez-Dia, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për shpenzime familjare.




