Protesta e dhunshme, Bushati: Po i përgjigjen dhunës 13 vjeçare të qeverisë! Shalsi: Nuk janë studentë ata që djegin

Analisti Andi Bushati dhe deputeti i PS-së, Eduart Shalsi, janë përplasur ashpër mes tyre në studion e “Të Paekspozuarit” të moderatorit Ylli Rakipi, lidhur me protestën.
Bushati tha se dhuna e protestuesve është kundërpërgjigje ndaj dhunës 13-vjeçare të qeverisë.
Por, për Shalsin, dhunuesit nuk kanë lidhje as me qytetarët dhe as me studentët. Sipas tij, ata që protestuan paqësisht i treguan politikës se çfarë po ndodh.
Pjesë nga biseda:
Bushati: Dialogu përgatitet me seriozitet kur dikush e kërkon dialogun. Këtu nuk ka vullnet për dialog. Rama vë fletën e dialogut, ata hedhin karriget. Çfarë ndodhi në 130 ditë që qytetarët e pakënaqur kaluan nga lulet te molotovët? Një lider i përgjegjshëm në demokraci dëgjon edhe kur dialogon, reflekton edhe kur nuk dialogon. Çfarë ndodhi në Shqipëri me ata që ishin në shesh? “Shqipëria nuk është në shitje”, “Berisha në burg”, “Rama në burg”, ishin parrullat. Çfarë panë ata njerëz? Kur ti i thua një njeriu të vogël se Shqipëria nuk është në shitje, por, si për inat të protestës, të mbin edhe një kullë te Parku Rinia. Ty të dilte që ish-këshilltarja e Edi Ramës jo vetëm ia merrte në gojë Gysit, por i jepte gjithçka. A i duhet Ramës dialogu? A duhet të reflektojë Edi Rama ndaj gurëve dhe molotovëve? Nuk ka diktator që jeton duke e zbukuruar regjimin. Një diktator shkon vetëm drejt forcimit të regjimit, ndaj pamë që po vinin makina të blinduara. Dialogu është utopi dhe i pamundur, sipas meje.
Shalsi: Ata qytetarë që thonë se nuk u dëgjuan kaluan në sjellje vandale. Nuk janë të njëjtët, Bushat. Një student, sado revoltë të ketë, nuk shkon të djegë Kolegjin e Evropës.
Bushati: Banakun thuaj, jo shkollën.
Shalsi: Atje ka edhe ambiente biznesi. Nga aty shkojnë në Qytetin Studenti dhe dhunojnë konviktin e Evropës.
Bushati: Pastaj shkojnë te policia.
Shalsi: Nga atje shkojnë te Ministria e Drejtësisë, djegin zyrat e avokatëve falas.
Bushati: Këto janë simbolet më të bukura.
Shalsi: Pastaj shkojnë te selia e Vatikanit, më pas te Banka e Shqipërisë, te bizneset private. Nga bizneset private…
Bushati: Një festë e vërtetë demokracie. Janë njerëz të revoltuar.
Shalsi: Nuk paske kuptuar asgjë. Nëse realisht mendon kështu, druaj se je i paaftë për të kuptuar që këto nuk kanë lidhje fare me studentët. Një moment kam dëgjuar, kam një javë…
Bushati: Është gjëja më e bukur.
Shalsi: Si i thua të bukur dhunës, mo? E përdhunuan, mo!
Bushati: Keni 13 vite që bëni dhunë.
Shalsi: Jam dhe vij nga protestat. Në moshën e këtyre studentëve kam qenë emigrant i paligjshëm në Greqi, në vitet 1992–1995. Realisht e ndiej. Ti e di që unë nuk vij vetëm nga politika. Por nuk mund ta përfytyroj që ai masivitet të përdhunohet, të ndotet dhe të kërcënohet, duke minuar mesazhin e protestuesve.
Bushati: Kjo e ngre më lart, mo.
Shalsi: Unë kam arsye të besoj, mo, se ata dhunues dhe ata vandalë i kanë bërë pis qëllimet e mira të studentëve.
Bushati: Unë mund ta kem subjektiv qëndrimin, mo. Vetëm në këto ditë ka mbi 50 artikuj të mediave botërore, asnjëri nuk ka diskursin tënd.
Shalsi: Kam dëgjuar të paktën gjatë javës së fundit opinionistët. Në Shqipëri ke media në organizimin e protestës. Diskurs jashtëzakonisht interesant dje në Itali, ku justifikojnë ashpërsinë e protestës për të kuptuar rrënjët e pakënaqësisë. Mos kujto se e bëjmë gjumin e qetë. Asnjë të vetëm nuk kam parë. Nëse më gjen një analist serioz që justifikon dhunën…
Bushati: Dhuna e këtyre është kundërpërgjigje ndaj dhunës suaj prej 13 vitesh.
Shalsi: Doli opozita në Francë dhe dënoi dhunën, në Itali po ashtu. Këtu ke non-gratën.




