Pse Rama kërkon dialog? Shalsi: Protesta madhështore na shkundi

“Pse kryeministri kërkon dialog?” Kjo ishte pyetja që moderatori i “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi, i drejtoi socialistit Eduart Shalsi këtë të enjte.
Për Shalsin, protesta është e drejtë dhe arsyeja pse kryeministri kërkon dialog është të kuptojë se cili është shqetësimi i qytetarëve.
Sipas tij, protesta madhështore, ajo paqësorja e ditëve të para, e shkundi qeverinë, ndërsa kjo e dhunshmja prishi gjithçka.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse kërkon Rama dialog?
Shalsi: Fakti që unë përfaqësoj mazhorancën nuk më pengon të them se pakënaqësitë duhen kuptuar, duhen analizuar shkaqet dhe se qeveria ka përgjegjësi që të përgjigjet. Nuk është problem protesta, është një e drejtë. Unë jam respektues i protestave paqësore, edhe pse vetë kam qenë edhe në protesta të ashpra në opozitë. Fakti është se unë jetën time politike e kam nisur në opozitë.
Rakipi: Pse do të dialogoni?
Shalsi: Protesta nisi në qershor. Ishte një protestë me pjesëmarrje masive. U gjenda rastësisht te kullat, pashë njerëz të njohur e të panjohur. Filloi me përkrahje masive, paqësore.
Rakipi: Për Flamingot thua?
Shalsi: Për atë po them, sepse çdo protestë ka një historik. Ajo ngjarja makabre e Vlorës, e cila ngacmoi njerëzit, ishte një ngjarje që e dënuam. Protesta nuk është problemi, problemi janë institucionet që nuk kuptojnë. A nuk duhet të dëgjojmë se çfarë problemesh kanë këta njerëz?
Rakipi: Pas katër muajsh?
Shalsi: Unë po e nis nga fillimi. Protesta na dha një shkundje të madhe. Kushdo që do të kuptojë se çfarë do të thotë ajo protestë madhështore, e kupton. Njerëzit dolën në rrugë. Cila ishte arsyeja? Mund të ishte ajo ngjarja makabre në Vlorë, e cila na acaroi të gjithëve. Në momentin që protestohet, duhet të dëgjohet. Kur dëgjohet, ka dy mundësi: njëra është që ti i merr seriozisht kërkesat, dhe tjetra është kur bën sikur dëgjon.
Kjo protestë e gjatë, që po tkurret, dhe aktet e dhunshme e kanë ndotur dhe sabotuar protestën. Madje, janë në rrymë të kundërt me qëllimet pozitive të atyre protestuesve. Kur nuk ke një përfaqësi, kjo nuk ta heq legjitimitetin, por mund të kesh disa të deleguar që e dinë se çfarë duan. Protesta nisi, pastaj dolën dhe thanë: “Dorëheqjen e Edi Ramës”.
Rakipi: Ti e quan të drejtë?
Shalsi: Jo, ata kanë të drejtën e tyre të kërkojnë dorëheqjen, ndërsa ne jemi në të drejtën tonë të themi se nuk e pranojmë. Jetojmë në një demokraci parlamentare. Neni 105 i Kushtetutës parashikon mocionin e mosbesimit. Nëse i ke votat, rrëzon qeverinë, ose nuk fiton besimin. Ajo për të cilën ne jemi të etur…
Rakipi: Etje keni ju, të tmerrshme.
Shalsi: Po, mo, për të dëgjuar. Ke vitin 2018, ke edhe vitin 2014, i cili e bëri qeverinë të tërhiqej. Në vitin 2018, studentët hezitonin, por erdhën dhe dolën në një pikë. Në finale negociohet, diskutohet dhe mund t’ju mbaj gjithë natën duke ju treguar se çfarë prodhoi Pakti për Universitetin.
Po dëgjoja një student që thoshte: “Unë i kam të gjitha kushtet, por kam dalë për komshiun tim, që i ka prindërit invalidë dhe thoshte: Ku do t’i gjejnë paratë për fëmijën?”. E dëgjova dhe thashë: Pse nuk mund të jetë kjo një kërkesë e drejtë? Më pas shtoi: “Po për ata invalidë?”. Mora informacion dhe mësova se ata janë përjashtuar nga tarifat.
Rakipi: Mund të dëgjosh edhe budallallëqe. Mua më rastisi para pak ditësh një situatë. Por ti e përshkrove një protestë të njerëzve që nuk kanë të hanë bukë, nuk kanë të paguajnë qiranë, nuk blejnë dot shtëpi. Pjesa dërrmuese e atyre që dolën aty ishin njerëz në hall.




