Në aksin rrugor nacional Kapshticë Qafë Thanë ka më shumë se 450 degëzime dhe kryqëzime, ç’ka e bën këtë aks të rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve por edhe për këmbësorët. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burime që vijnë pranë sektorit të qarkullimit rrugor pranë drejtorisë vendore të policisë së qarkut të Korçës.

 

Të gjitha këto degëzime por edhe kryqëzimet e bëjnë aksin të vështirë për shkak të mungesës së sinjalistikës vertikale në degëzime, shumë më tepër në kryqëzime ku mungon jo vetëm sinjalistika vertikale dhe ajo horizontale, por edhe ndriçimi.

 

Në kryqëzime gjithnjë sipas të njëjtave burime mungon sinjalistika paralajmëruese që do i detyronte drejtuesit e mjeteve të marrin masa para se të kalojnë në këto kryqëzime. Më të rrezikshmet edhe për sektorin e qarkullimit rrugor mbeten kryqëzimet e Plasës, të Drithasit, Sovjanit e Leshnicës. Për të evituar aksidentet me dëme materiale por edhe ato me pasoja sektori i qarkullimit rrugor ka hartuar një raport për gjendjen e kryqëzimeve, raport të cilin ia ka paraqitur organeve lokale dhe atyre kombëtare.

 

Në këto kryqëzime por edhe në pikat e tjera me rrezikshmëri të lartë krahas ndriçimit si dhe vendosjes së sinjalistikës paralajmëruese, policia rrugore iu ka kërkuar autoriteteve përkatëse, të ndërtohen nënkalime dhe mbikalime për parandalimin e aksidenteve. Për policinë e qarkullimit rrugor një pjesë e unazës veriore të qytetit të Korçës nga Blloku i Ri i Sportit e deri tek vendi i njohur si Dritat e Verdha, është një tjetër aks i rrezikshëm, pasi ndodhet në zonë tejet të populluar ndërsa lëvizja e mjeteve kryhet me shpejtësi tej normave të lejuara.

 

Rrethrrotullimet në qytetin e Korçës janë shqetësim më vete edhe për sektorin e qarkullimir rrugor, pasi një pjesë jo e vogël e drejtuesve të mjeteve ngatërrojnë sensin e levizjes në këto rrethrrotullime me sensin e levizjes në kryqëzime. Ndaj edhe për këtë një pjesë e mirë e patrullave të policisë herë pas here kryejnë shërbime në të gjitha rrethrrotullimet e qytetit të Korçës me qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *