Subscribe

Përvjetorët e datëlindjes përbëjnë në rrugëtimin e jetës së njeriut çaste të rëndësishme. Për disa shërbejnë si një ndalesë për reflektim e për disa të tjerë si një ditë  për të mbledhur të afërm e miq për të festuar.

Në rastin e Agron Llakaj, që 24 Prilli i shënon 60 vjetorin e lindjes, është një reflektim mbi atë që i ka sjellë ndër dekada skenës, një prej gjinive më të vështira të dramaturgjisë, komedisë.

Në kohët që jetojmë kur datëlindjen mund ta gëzosh vetëm me familjarët, për Agron Llakajn ky rregull është përmbysur.

Familja e tij është zgjeruar, prej disa vitesh me ekipin e “Al Pazar” dhe së fundmi me “Fake Off” në ekranin e Vizion Plus.

Djaloshi i cili iku nga Tepelena për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve në Tiranë, përbën një nga emrat më të njohur dhe të pëlqyer të publikut.

Fillimisht si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në vendlindje në Tepelenë, më pas në Estradën Profesionale të Gjirokastrës, rrugëtimin si aktor i lirë, pa qenë nevoja për të qenë pjesë e një trupe shtetërore teatrore e nisi me pjesëmarrjet speciale në programet e viteve 90’.

Kujtojmë “12 në Hollywood” …“12 Vallëzime pa një të Shtunë”…apo “12 Javë rreth fatit”.

Një nga karakteristikat e tij si aktor është imitimi i personaliteteve të njohura të politikës, veçanërisht portretizimi i politikanit të karrierës, Sali Berisha.

Galeria e personazheve të Agron Llakaj është e pafundme. Ai ka veshur kostumin e shumë karaktereve, të veteranit të luftës, policit, politikanit, kriminelit e deri të grave plaka.

Edhe sot vazhdon të  mishërojë fshatarin apo zyrtarin e paaftë, të riun apo plakun mburravec, politikanin e korruptuar dhe gënjeshtar me aq mjeshtëri në të gjithë elementët e një personazhi, si gjestet apo dialekti, gjithnjë në kufijtë e groteskut.

Në vëmendjen dhe misionin e tij, edhe sot si krijues dhe aktor përmes dy emisione “Al Pazar” dhe “Fake Off” në Vizion Plus, mbetet parodizimi i sistemit politik, ekonomik dhe social të vendit.

Misioni i Agron Llakaj është i pandryshueshëm, t’i bëj njerëzit të mendojnë përmes së qeshurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *