Mbi 100 zyra të shitjes së pasurive të patundshme që përfaqësohen në shoqatën “NAREA” i kërkojnë qeverisë që fushata e rivlerësimit të pasurive të ketë në konsideratë disa ndryshime nga drafti i propozuar.
Në një komunikim me mediat, shoqata e agjentëve të shitjes së pasurive argumenton se tatimi aktual pej 15% për çdo shit-blerje bllokon tregun dhe duhet riparë.
Ndërkohë për fushatën e radhës një normë tatimore prej 3%, nga 5 që është propozuar do të ishte një tatim me impakt pozitiv për të dy palët, konsumatorin dhe qeverinë.
“Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme. Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregohet se në vitet 2020-21-22 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro/vit të ardhura nga rishitja e pasurive të paluajtshme, deri në rreth 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15%: Ngadalëson transaksionet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën”, thuhet në kërkesën e shoqatës.
Paralelisht, zyrat e shitjes së pasurive, ngrenë shqetësimin se një periudhë 9-mujore për rivlerësim është e pamjaftueshme.
Minimalisht nevojitet një periudhë 1-vjeçare. Ndërkohë janë me mijëra pasuri që kanë nevojë të rivlersohen.
“Periudha e rivlerësimit të jetë të paktën 12 Mujore, 1 Tetor 2025-30 Shtator 2026 ose 1 Janar 2026-31 Dhjetor 2026. Për çdo kërkesë për rivlerësim, depozituar pranë ASHK, e cila nuk arrin të procesohet brenda afatit, të konsiderohet si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se fatura nga ASHK për atë kërkesë emetohet brenda 90 ditëve nga përfundimi i periudhës së Rivlerësimit si dhe në rast se pagesa e tatimit në këtë rast kryhet brenda 90 ditëve nga emetimi i faturës. Nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250’000 pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën”, vijon kërkesa.
Bazuar në të dhënat e censit të banesave, 2/3 e banesave në përdorim në Shqipëri janë mbi 25 vite të vjetra dhe vetëm 12.3% janë më të reja se 10 vite. Sipas NAREA-s, potecialisht rreth 500.000 banesa kanë nevojë për rivlersim. Qeveria ka parashikuar që fushata e rivlerësimit të nisë nga janari deri në shtator 2026./vizionplus.tv





