Problemet e shëndetit mendor tek adoleshentët janë kthyer gjithnjë e më shumë në një shqetësim serioz. Të shumtë janë ata të cilët për një periudhë të gjatë vuajnë nga ankthi apo depresioni, ndërsa nuk kërkojnë ndihmë, duke ndërmarrë hapa ekstreme, deri edhe në vetëvrasje. Por çfarë thonë ekspertët e shëndetit mendor për këtë fenomen?
Anora Kroj, psikologe:
“Shkaqet dhe arsyet janë të ndryshme, por kjo varet nga situata që adoleshentët përjetojnë, nga mënyra dhe qasja e temperamentit të tyre, nga faktorët mbështetës si familja, shkolla dhe gjithë rrethi tjetër social. Mënyra se si adoleshenti e përjeton një ngjarje të caktuar, traumat, abuzimet që lidhen me dhunën në familje, abuzimin seksual, e bëjnë përjetimin emocional të rënduar, të cilat mund të çojnë drejt vetëvrasjes. Vihet re që kohët e fundit, ekspozimi i vazhdueshëm që kanë adoleshentët në rrjete sociale, promovimi i videove të dhunshme, po ashtu i rrit tendencat për të qenë më agresivë, më bullizues. Bullizimi kibernetik ndikon në sjellje që janë lënduese, deri në shkaktimin e këtij akti tepër të rëndë.”
Psikologia Anora Kroj rendit disa nga simptomat më të zakonshme që tregojnë se adoleshentët vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
“Shpeshherë adoleshentët e verbalizojnë me shprehje të caktuara të tipit: ‘Nuk ia vlen të jetojmë’, ‘Më mirë mos të isha këtu’, ‘Pse jam lindur unë’. Shpeshherë e kuadratojnë gjithë emocionalitetin në këto shprehje verbale, por ndonjëherë qëndron edhe mungesa e përqendrimit, rënie në rezultate shkollore, tërheqje nga aktivitetet që u japin kënaqësi. Zgjedhin të rrinë vetëm, të mos socializohen, të rrinë mbyllur, të mos kalojnë kohë me familjarët.”
Ekspertët japin disa këshilla për parandalimin e problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë.
“Fëmija, adoleshenti duhet ta ndjejë që ka një familje për të, për ta dëgjuar dhe për të mos e paragjykuar. Prindi duhet të jetë sa më afër dhe dëgjues i mirë i këtij momenti. Aktivitete që u japin kënaqësi janë gjithashtu të rëndësishme.”
Sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 10 adoleshentë shfaqin probleme të shëndetit mendor.
/vizionplus.tv




