Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance.
Presidentja është takuar me J.D. Vance në darkën e shtruar nga homologu i saj francez Emmanuel Macron në pallatin Elysee, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat.
Vjosa Osmani: Në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat.
Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë.
Ndërsa Presidenca e Republikës së Kosovës, përmes një postimi në Facebook thotë se ky takim konfirmoi përkushtimin për thellimin e baskëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Presidenca e Republikës së Kosovës: Në Paris, Presidentja Osmani takoi Zëvendës Presidentin amerikan J.D. Vance. Me këtë rast, ajo shprehu mirënjohjen e thellë për aleancën me SHBA-të, duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.
Darka u mbajt në prag të Samitit mbi Inteligjencën Artificiale (AI)./vizionplus.tv





