SPAK njoftoi zyrtarisht ditën e djeshme se ka vënë në lupë deputeten socialiste Klotilda Bushka, që ka tentuar të pengojë punën e tyre lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili me urdhër të SPAK u arrestua më 10 shkurt. Ditën e sotme në Komisionin për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”, deputeti demokrat Dashnor Sula i ka kërkuar Bushkës që të mos e drejtojë ajo Komisionin, pasi sipas tij nuk është e ndershme dhe e moralshme.
Bushka, e cila reagoi për herë të parë lidhur me hetimin që po kryhet ndaj saj, tha se ka qenë gjithmonë e dinjitetshme dhe do të vijojë të jetë. Deputetja socialiste nuk e pranoi kërkesën e Sulës, i cili kërkoi që Komisioni të drejtohej nga nënkryetarja dhe vijoi mbledhjen.
Dashnor Sula: Mendova se ju zonja kryetare nuk do ishit sot në Komisionin e Ligjeve. Ndoshta kjo nga morali i një qytetareje në radhë në parë, pastaj një politikaneje. Është hera e parë përgjatë qeverisjes suaj që Komisionin e Ligjeve asnjëherë nuk e ka drejtuar opozita, ndonëse në kohën kur kemi qenë mazhorancë, nënkryetari i asaj kohe Fatmir Xhafaj drejtonte Komisionin e Ligjeve herë pas here. Ngjarja e djeshme e arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, zotit Veliaj ka sjellë një situatë të re edhe për Komisionin e Ligjeve. Nuk do të ishte e ndershme dhe e moralshme që Komisionin e Ligjeve ta drejtoni ju, në një kohë kur në një deklaratë të SPAK del që kryetaraja e Komisionit të Ligjeve ka tentuar pengimin e zbulimit të së vërtetës. Kur kjo ndodh nga Kryetarja e Komisionit të Ligjeve imagjino në çfarë situate jemi. Thirrini ndërgjegjjes! Komisionin e Ligjeve nuk duhet ta drejtoni ju sot, sepse si mazhorancë nuk keni moralin për të drejtuar Komisioin e Ligjeve.
Klotilda Bushka: Ky është një Komision Ligjesh jo një Komision Hetimor. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku edhe sqarohen çështjet. Sa i takon çështjes së dinjitetit kam qenë e dinjitetshme, jam e dinjitetshme dhe do vijoj të jem e dinjitetshme./vizionplus.tv





