Komisioni i Ligjeve ka nisur sot me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Projektligji për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë u kundërshtua nga deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, e cila ngriti pretendimin se nisma është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
“Projektligj haptas në kundërshtim me kodin, pasi Kodi e ndalon pas datës 11 janar çdo përpjekje për t’i blerë apo afruar favore qytetarëve dhe kompanive. Projektligji nuk jep garanci sa i takon barazisë së aksesit, varet nga mundësia financiare e qytetarit, sa do të kushtojë karta elektronike për qytetarët, a jep garanci se ruhen të dhënat brenda vendit, A do të ketë edhe kartë fizike edhe kartë digjitale do të bien kartat fizike s’do të përdoren më? A është i sigurt sistemi?”, tha Çupi.
Zv/ministri i Brendshëm, Andi Mahila siguroi se mbrojtja e të dhënave personale do të jetë e garantuar.
“A është premtim elektoral, kjo nuk është një pyetje që unë mund t’i përgjigjem. Ky akt është propozuar nga ministria e Brendshme më 3 dhjetor 2024, këshilli e ka miratuar më 13 dhjetor dhe e ka paraqitur në parlament më 17 dhjetor 2024. Nuk duhet të ngatërrohej, Identiteti digjital është një mundësi identifikimi shtesë, jo i detyrueshëm i identifikimit fizik. Patjetër qe janë të siguruara të dhënat personale”, tha Mahila.
Debati vijoi më tej mes Asllan Dogjanit, deputet i PD-së dhe kryetares së komisionit Klotilda Bushka mbi sigurinë e të dhënave.
“Të dhënat i përdorin grupet kriminale, i përdor qeveria…është e qartë që ky projektligj nuk qanë hallet e qytetarëve. Përveç hallit që sa do të vidhni në implemenim të këtij ligji, ky vjen në një kohë të fushatës elektorale për të fituar votat”, tha demokrati Asllan Dogjani.
“Kujdesuni me etikën karshi kolegëve, po flasim për një shërbim që në kohën tuaj është bërë koncencsion, pra po dyshoni që është vjedhur?”, tha Bushka.
Referuar relacionit, synimet e këtij projektligji lidhen me lehtësinë në marrjen e shërbimeve online, mbrojtjen e të dhënave personale dhe luftën ndaj krimit të organizuar, ndërsa është parashikuar të ketë një kosto rreth 5 miliardë lekë./vizionplus.tv





