Ditën e sotme, deputetët e opozitës dhe mazhorancës u përplasën pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Sterilizimit.
Në ambientet e brendshme të Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, shtyu kolegen socialiste Milva Ekonomi.
Ekonomi u shpreh e keqardhur dhe tha se kjo sjellje e dhunshme e kolegëve të saj demokratë, po tejkalon çdo kufi.
Milva Ekonomi: E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi.
Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.
Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.
Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit, dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njeherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat intergruese në Bashkimin Europian.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi, ngjarje të cilën e ka cilësuar si cënim fizik ndaj koleges së tij dhe një akt të papranueshëm.
Niko Peleshi: Pas përpjekjeve të dhunshme të PD për të penguar punimet e seancës plenare dhe sulmet me molotov ndaj institucioneve, sot është tejkaluar çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës, Milva Ekonomi, nga deputetët e përjashtuar të opozitës, Xhelal Mziu dhe Ina Zhupa. Opozita po tenton të sjellë krizën e vet edhe në Kuvend. Dhuna ndaj deputetëve, stafit të Kuvendit, Gardës apo Policisë është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme.
I bëjmë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të rikthehen në rrugën e arsyes dhe të dialogut. Dhuna dhe përpjekjet për të bllokuar punën e Kuvendit nuk i shërbejnë as qytetarëve, as demokracisë.
Ndërkohë nga ana e deputetit demokrat, Xhelal Mziu nuk ka ende asnjë reagim lidhur me ngjarjen./vizionplus.tv





