Tre javë nga mbyllja e sesionit parlamentar Partia Socialiste depoziton propozimet për ndryshime në kodin zgjedhor për votën e diasporës dhe herësin.
Për mundësimin e votës nga jashtë PS kërkon që i gjithë procesi të kryhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjëndjes Civile.
Rregjistrimi i diasporës të realizohet përmes KQZ, duke lënë jashtë këtij procesi e-Albania dhe duke përmbushur kërkesën e opozitës.
Votimi do të bëhet përmes postës dhe do të udhëhiqet po nga KQZ. Do të jetë komisioni rregullator ai që të vendosë nëse shërbimin do ta kryejë posta shqiptare apo një ndërkombëtare siç edhe Partia Demokratike kërkon.
Vullneti politik i diasporës do të numërohet sipas qarqeve. Pra, nëse adresa e fundit e zgjedhësit në vendlindja ka qenë në Tiranë, vota e tij do të numërohet për qarkun e Tiranës.
Sipas propozimit të socialistëve në parlamentaret e 2025-s do të shkohet me dy lista zgjedhësish. E para do të përmbajë vetëm shqiptarët që jetojnë brenda vendit dhe e dyta shqiptarët që jetojnë jashtë. Kjo e fundit do të përpilohet pasi është bërë identifikimi i adresave të votuesve jashtë vendit nga Drejtoria e Përgjithshme të Gjëndjes Civile dhe kjo e fundit i ka çrregjistruar nga lista e zgjedhësve brenda territorit të vendit.
Po aq, bie herësi prej 10 mijë votash i zbatuar në parlamentaret e 2021-it. Me propozimin e socialistëve në çdo rast ai nuk duhet të jetë më i lartë se 7 mijë. Përllogaritja e tij do të bèhet sipas formulës së pjestimit me 1.5 të numrit të votave që merr subjekti zgjedhor me numrin e mandateve të fituara për secilin qark.
Ndryshimet e propozuara nga socialistët do të duhet të kalojnë provën e votës. Mazhoranca nuk i zotëron e vetme 84 kartonët jeshilë. Deri më tani Partia Demokratike ka deklaruar se do të votojë kundër nëse shumica socialiste nuk i përmbush kërkesën politike, lejimin e koalicioneve me listë të përbërë sipas marrëveshjes së arritur edhe me ndërkombëtarët në 5 qershorin e 2020-ës. /vizionplus.tv





