Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë përkujtuar sot 4 qytetarët që mbetën të vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011.
Si në çdo 21 janar për më shumë se një dekadë shefi i qeverisë vendosi lule në vendet ku humbën jetën 4 protestuesit duke përsëritur se duhet drejtësi për këtë krim shtetëror
Lexo edhe :
Related Posts
Por në këtë 13 vjetor të kësaj ngjarje tragjike, nuk është vetëm kryeministri Edi Rama e Partia Socialiste që kërkojnë drejtësi, pasi 2 muaj më parë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut shpalli se shteti shqiptar ka detyrimin të kryejë një hetim efektiv që mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për 21 janarin
“Sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, po dhe nga vendimi i Gjykatës Europiane të së Drejtave të Njeriut dhe nga vullneti tani më i shprehur i SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme për të goditur drejt, për të goditur lart pa duart e lidhura nga pushteti politik dhe pa frikë nga dordolecët politik që e mbajtën drejtësinë larg Shqipërisë dora-dorës për më shumë se 100 vjet.”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se në 27 shkurt gjykata e lartë do të marrë një vendim që do të ketë ndikim në rrugën që do të ndjekë dosja e 21 janarit
“Ne sot nuk na mbetet veçse të shpresojmë që gjykata e lartë e Republikës së Shqipërisë do të vendosë me drejtësi në 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të “21 janarit” nga kurrizi i pashtyllë i Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në duart e SPAK”, deklaroi Rama.
Prokuroria e Tiranës nuk ishte i vetmi segment i sistemit të drejtësisë që kritikoi lideri i mazhorancës Rama, i cili paralajmëroi masa të reja në kuadër të reformës në drejtësi.
“Gjymtyrë dhe organe të tjera të trupit të drejtësisë vazhdojnë përpëliten përmes inercisë së kllapisë shekullore dhe zgjimeve copa-copa sipas rastesh, kryesisht pa zarar apo për interesa pa karar ose vazhdojnë të flenë paturpësisht mbi dosje të zverdhura të krimeve shembullore ku “21 janari” mbetet krimi i krimeve dhe prova më ulëritëse edhe e nevojës së thellimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi dhe të anti korrupsionit në tërësi”, shtoi Rama.
Në ceremoninë përkujtimore, xhaxhai i një prej të vrarëve të asaj protestës, Mark Nika falënderoi Strasburgun që u dha këtyre familjarëve të drejtë për këtë ngjarje.
“Vendimi i Strasburgut nuk është rekomandues, por i detyrueshëm për tu zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare.”, tha Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.
Në 21 janarin e vitit 2011 gjatë një proteste të Partisë Socialiste asokohe në opozitë u vranë 4 qytetarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. /vizionplus.tv








