Një efektiv i policisë së Kosovës u vra në veri te Kosovës, ndërsa kolegu i tij mbeti i plagosur pas një sulm të organizuar me armë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 3.00 të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposavicit.
Dy persona të maskuar i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata qëlluan në drejtim të patrullës , duke lënë të vdekur efektivin Afrim Bunjaku. Po ashtu i plagosur mbeti edhe polici Alban Rashiti i cili u dërgua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Agresorët dyshohet se janë fshehur në Manastirin e Banjskes dhe po shkëmbejnë zjarr me policinë.
Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit te Kosovës Albin Kurti, i cili e ka cilësuar ngjarjen një sulm terrorist nga Beogradi Zyrtar.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.
Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”,
VJOSA OSMANI
PRESIDENTE E KOSOVES.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë është mbyllur pika kufitare ne Bernjak për hyrje nga Serbia. Po ashtu kryeministri ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.





