Demokratët festuan me fishekzjarre rikthimin e Sali Berishës në krye të PD. Më shumë se 43 mijë demokratë iu drejtuan kutive të votimit dhe 93% e tyre zgjodhën Sali Berishën. Kandidati tjetër, Ibsen Elezi, mori vetëm 8.5% të votave.
Në mesazhin e parë para demokratëve, Sali Berisha solli në vëmendje sa gjera kanë ndryshuar nga një vit më parë, duke kujtuar momentin kur Lulzim Basha u rizgjodh në krye të PD.
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Më pak se një vit më parë, në 13 qershor në këtë sallë, diku aty në qoshe, gazetarët pasi votova më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së? – Përgjigjja ime ishte kjo: “Never say never”! Ndaj dhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare, çdo demokrati dhe demokrateje shqiptare, “Never say never”, ne do të fitojmë.”
Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zgjodhi të citojë një figurë të njohur të politikës amerikane për të sfiduar ambasadoren Yuri Kim, e cila i ka bërë apel Partisë Demokratike të shohë nga e ardhmja.
“31 vite më parë, një mik i madh i kombit tonë në vizitën e tij historike, James Baker, do t’u thoshte shqiptarëve se ju do jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Dëshmitar i pengesave të jashtëzakonshme, por anëtarët dhe anëtaret e PD, njerëz të idealeve më të larta, më fisnike, njerëz të lirë, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se do të ndërpresin marrëdhëniet me Partinë Demokratike nëse drejtimin e saj e merr Sali Berisha. Një paralajmërim të ngjashëm kanë artikuluar edhe deputetët gjermanë të CDU.
Përveç problemit me partnerët ndërkombëtarë, Sali Berisha ka edhe sfidën e bashkimit të Partisë Demokratike.
Në zgjedhjet për kreun e PD pjesëmarrja ishte në të njëjtin nivel si në referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës, dhe shumica e deputetëve e bojkotuan procesin, duke treguar se zhvillimet e muajve të fundit e kanë thelluar çarjen brenda partisë më të madhe të opozitës.





