Presidenti Ilir Meta shprehu mirënjohjen e tij për Kongresmenin Eliot Engel, i cili do të largohet nga Kongresi në SHBA pas 32 vitesh. Sipas Metës, Engel ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO si edhe Kosovën për t’u bërë shtet i pavarur.
“Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike. Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor”, tha presidenti në “Facebook”.
Ilir Meta ka bindjen se mbështetja e tij do të vijojë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.





