Kryeministri Edi Rama, në konferencën e sotme për shtyp, ka komentuar edhe protestat e zhvilluara ditët e fundit pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rama.
Ai u shpreh se është alarmante dhe skandaloze se si të miturit po përdoren dhe abuzohen nga partitë politike në opozitë.
“Unë mendoj që është fatkeqësi e madhe që njerëz me eksperiencë, me prani publike, me përgjegjësi publike, si ata që quhen analist apo opinionist që shfaqen në ekrane apo shprehin opinionet e tyre në portale të jenë kaq të mbushur me një ndjenjë, saqë të mos e ngrenë zërin për një fakt tmerrësisht të trishtueshëm që është shfaqur këto ditë në Shqipëri, për abuzimin me të miturit dhe ta interpretosh këtë shfaqje si shpërthim i një zemërate popullore, si shëmbëlltyrë e një revolte gjenuine që vjen nga fustrim i brendshëm i shoqërisë, si një shembull për t’u marrë sa i përket vandalizmave, do të thotë që vërtetë duhet të ndihemi të alarmuar, jo unë si kryeministër, s’flas këtu për qeverinë se këto shkojnë e vijnë. Përtej skandalozes, është një turp i pashoq, të shikosh njerëz që mund të kenë të gjithë arsye për të pasur angazhimin me mish e me shpirt kundër qeverisë, por që të arrijnë deri në këtë pikë dhe të riabuzojnë me të miturit duke i përdorur si argument për të vazhduar të pikturojnë një panoramë të një revolucioni që kanë kohë ta nxisin dhe e presin është rënie në një nivel që nga pikëpamja humane është katastrofë.”





