Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihet edhe si Lugina e Preshevës do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit me një listë të unifikuar zgjedhore.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa u shpreh se koalicioni i përbashkët është mundësuar me ndihmën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Në një lidhje direkte me emisionin “7 pas 5”, Mustafa e konsideroi një arritje të madhe bashkimin e partive shqiptare, ndërsa theksoi se do të përpiqen që të marrin më shumë se tre deputetë.
“Jeni në heshtjen parazgjedhore. Të dielën do të hymë në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale për Komunën e Bujanovcit. Presheva dhe Medvegja janë vetëm në zgjedhjet parlamentare. Me ndihmën e Ministrit cakaj ka mundësuar arritjen e një koalicioni të përbashkët të 5 partive shqiptare, të cilët për herë të parë kanë një qasje të tillë në zgjedhjet parlamentare. Është një arrtije e madhe, që tentojmë të marrin më shumë se 3 deputetë nga 250. “
Sipas Mustafës, nuk mund të realizohet një marrëveshje për normalizimin e Kosovës me Serbinë pa trajtuar temën e Luginës së Preshevës. Ballkani Perendimor shtoi kreu i KKSH, nuk mund te jete i qete dhe i paqte pa marre zgjidhje ceshtja e shqiptareve ne Luginen e Presheves.
I pyetur nëse shqiptarë e “Luginës” janë pro bashkimit me Kosovën, ai deklaroi se ky është një vullnet popullor që duhet të materializohet.
“Është vullneti popullor i shprehur edhe në referendum. Këtë duhet ta materializojmë në kuadër të pragmatizimit popullor, duhet të shohim mënyrën më të mirë të mundshme. Në një moment historik do të gjendet një zgjidhje që do të realizojë ëndrrën dhe vullnetin e të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Çdo qeveri në Kosovë, kur fillon një dialog ne mundohemi që i paraqesim kërkesat tona legjitimi. Ne kemi kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Vetëm përmës Luginës së Preshevës mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi kërkuar që të jemi edhe pjesë e këtij dialogu, që të përfaqësohemi në këtë marrëveshje.”





