Partia Demokratike ka ngritur si shqetësim një rast në Zall-Bastar ditën e sotme, zonë e cila po ashtu është përfshirë nga moti i keq. Përmes një postimi në “Facebook”, PD ka deklaruar se ura në Zall-Bastar është gati e mbuluar për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Sipas demokratëve, kjo është bërë shkak që 1000 banorë të izolohen.
“Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të rrezikshme në Zall Bastar. Mbi një mijë banorë janë pothuajse të izoluar, pasi e vetmja urë, në gjendje të mjeruar, ështa gati e mbuluar nga uji i vrullshëm i lumit. Kjo është e vetmja urë, ku nxënësit kalojnë për të shkuar në shkollë dhe, siç tregojnë pamjet, është një rrezik i përditshëm në stinën e shirave”, ka shkruar PD.
Në vijim të postimit, demokratët nuk kanë lënë pa akuzuar edhe kundërshtarët e tyre politikë për investimet e bëra në zonën në fjalë.
Për PD, 3 vite më parë ura e rrezikshme është inspektuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputeti Xhemal, Qefalia, por nuk është kryer asnjë investim apo përmirësim infrastrukturor.
“Prej shumë vitësh banorët kanë protestuar, kanë kërkuar zgjidhje nga qeveria dhe bashkia për një urë të re të sigurtë, por problemi i tyre nuk është zgjidhur. 3 vjet më parë, Erion Veliaj dhe Xhemal Qefaliaj inspektuan punimet e nisura për një urë të re, por në realitet nuk ka asnjë të tillë. Disa muaj më parë, kur protestuan për urën e munguar, banorët u thanë përfaqësuesve të PD, Gent Strazimiri dhe Abi Malltezi se fondet për urën e Zall Bastarit shkuan në Surrel, për kompaninë e ish kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefaliaj, njëkohësisht edhe kryetar i njësisë administrative Dajt. Zall Bastari është pjesë e Bashkisë së Tiranës, por premtimi i Erion Veliajt se “banorët e periferisë do të trajtohen njësoj si ata në ish Bllok, rezulton një nga mashtrimet e tij të shumta”, ka përfunduar reagimin e saj Partia Demokratike.





