Kjo vatër zjarri në fshatin Trodhë, në njësinë administrative Ulëz, rrezikon jetën e disa familjeve që jetojnë 10 metra larg. Pasditen e së martës, situata është rënduar shume dhe është dashur ndërhyrja e forcave te ushtrisë qe udhëton disa ore ne këmbë, per te mbërritur ne vendin e ngjarjes.
Te favorizuara edhe nga era e forte, flaket jane përhapur edhe më shumë duke iu afruar banesave. Zjarri rrezikon qindra krerë të imta dhe gjedhë. Banorët e alarmuar kanë kërkuar ndihmë dhe thonë se po asfiksohen nga tymi i madh që ka mbuluar shtëpitë e tyre.
Ndërkohë vatra të reja zjarri janë shfaqur edhe në fshatin Madhesh. Ndërkaq, situata është alarmante edhe ne disa fshatra te Dibrës. Në Malin e Kishës së Shënandoit të Laçit ra zjarr në kurorën me pisha të larta. Pas ndërhyrjes edhe nga forcat ushtarake u arrit të shuhen flakët të cilat dogjën sipërfaqe të madhe me shkurre e pisha.
Në Tiranë në fshatin Mushqeta, në afërsi të Tunelit të Krrabës zjarri i rënë që prej ditës së djeshme vijon të jetë aktiv ndërsa per shuarjen e flakëve po ndërhyjnë edhe helikopteret. Për këtë zjarr policia arrestoi tre persona. Mësohet se Armand Ukaj, Oltjan Dedaj dhe një 17-vjeçar që të tre banues në fshatin Krrabë janë autorë të zjarrvënies mbi tunel. Të arrestuarit kishin hapur tre gropa për të bërë qymyr e për pasojë zjarri është përhapur në pyll dhe vazhdon ende.
Një tjetër vatër u lokalizua në Landfillin e Sharrës ku si pasojë e flakëve u dogj një tub gazi i Landfillit. Edhe në malin e Derjes në afërsi të Shëngjergjit zjarri dogji mbi 5 hektarë shkurre e pisha pasi ndërhyrja ishte mjaft e vështirë për shkak të terrenit të thyer.
Në Elbasan dy vatra në fshatin Mamel dhe në vendin e quajtur Teqja e Dushkut në Gramsh shkrumbuan10 hektarë shkurre. Zjarri u shfaq edhe në fshatin Turan të Tepelenë dhe si pasojë u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj, 300 pemë frutore dhe 1 stallë bagëtish e cila mbante kryesisht bazë materiale.
Në Skrapar, zjarri te Parku i Bogovës ka qene aktiv edhe gjate se martës. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit.





