Shqetësimin për rolin destabilizues të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor ministri i Jashtëm shqiptar e ndau me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ditmir Bushati, që ndodhet në një vizitë në SHBA është takuar me shefin e Aleancës dhe detajet e takimit i bëri të ditura në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Përveç se kemi marre ne shqyrtim situatën ne rajon kemi folur edhe për rolin destabilizues apo influencat me te cilat aktore te ndryshëm përpiqen t’i qasen Ballkanit Perëndimor dhe ne kontributin që Ballkani ka për arkitekturën e sigurisë në Europe. Duke qene se NATO dhe BE bashkëpunojnë, shqyrtuam mundësinë e instrumentet qe mund te kenë këto per te vijuar kursin e reforma te vendeve te Ballkanit drejt BE dhe NATO.”
Me Stoltenberg u diskutua edhe për raportet mes Kosovës e Serbisë, situatën në Maqedoni dhe për sigurinë në hapësirën Adriatike, ku përfshihet Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi. Bushati foli edhe për rolin e Shqipërisë në luftën kundër Isis.
Gjatë qëndrimit në SHBA Bushati pati një takim me senatorin John McCain, i cili shprehu mbështetje të qartë për kursin e reformave dhe angazhimin parimor të Shqipërisë ndaj adresimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë, në kuadër të NATO-s dhe në rrafshin dypalësh.
Në Uashington Bushati u takua edhe me kreun e komisionit të Jashtëm, Ed Royce dhe kongresmenin Eliot Engel. Zbatimi i reformës në drejtësi ishte tema kryesore e bisedës, ku Bushati u ndal tek efektet transformuese qe do te sjelle kjo reformë, jo vetëm nga pikëpamja e sigurisë, por edhe në ekonomi.





