Serenatat e vjetra korçare janë kënduar në parkun “Rinia” nga këngëtarë të njohur të qytetit të Korçës, të cilët kanë rikthyer edhe njëherë si dikur, meloditë karakteristike të rrugicave.
Zhani Sulioti ka mbi 60 vite që këndon serenatën ndërsa prej kohësh nuk ishte ngjitur në skenë për të performuar.
“Nga njerëzit e Korçës isha e harruar. Është kënaqësi që ndodhem këtu. Me vjen të qaj. Korça ka patur serenata të bukura dhe kur shoh që këto bëhen në mënyrë të ligë me vjen te qaj. Me brezin që jam unë këndohet por brezin e ri nuk e di çfarë do bëhet”, thotë Zhani Sulioti.
Emocionuese ishte kur Spanja Pipa, diva e serenatës korçare, pavarësisht se në moshë të thyer, mori mikrofonin për të kënduar bashkë me publikun.
Serenata do vijojë të këndohet bukur, në Korçë por edhe kudo në diasporë ku ka korçarë.
“Unë kam mbaruar shkollën e muzikës për kanto, kam shumë vite që kam ikur këto këngë i kemi kënduar kur kemi qenë të reja. Me vjen mire se me pëlqen autoktonia e vjetër. E dua serenatën siç ka qenë më përpara. Këndojmë kur mblidhemi bashkë, e këndojnë jo vetëm korçarët jashtë”, thotë Roberta Panariti.
“Jam e emocionuar sepse jam një nga vajzat më të vogla, brez i ri. Jam rritur me serenatat korçare e jam e lumtur që risjell serenatat e vjetra”, thotë Erika Ahmeti.
Mes emocionesh, kujtimesh dhe duartrokitjesh, serenata korçare dëshmoi edhe një herë se mbetet një nga simbolet më të çmuara të identitetit të qytetit.
Edhe pse koha kalon dhe brezat ndryshojnë, zërat e artistëve që e kanë mbajtur gjallë ndër vite, së bashku me të rinjtë që po e përqafojnë këtë traditë, japin shpresë se serenata do të vijojë të jehojë në rrugicat e Korçës.




