Arkitektura vazhdon të mbetet një nga degët më të kërkuara për maturantët. Për t’u bërë pjesë e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, kandidatët duhet të kalojnë testin e pranimit, i cili zhvillohet më 19 gusht dhe ka peshën kryesore në përzgjedhje.
“Kërkesa është mjaft e lartë, vitin e kaluar kishim 400 kandidatë. Fakulteti ka 100 kuota për maturantët, brenda dhe jashtë vendit, për arkitekturën, për urbanistikën 50 dhe për dizajn 30 kuota. Nga eksperienca e viteve te kaluara ata që kanë dalë fitues kanë një mesatare mbi 9, ndërsa urbanistika 8.5. Kërkesat janë kaq të larta sa regjistrimet i mbyllim për 48 orë”, tha Ani Panariti, zv.dekane e FAU.
Përtej konkurrencës, mbetet një nga degët me perspektivën më të mirë të punësimit. Studentët mund të punësohen që gjatë viteve të fundit të studimeve, falë kërkesës së lartë të tregut.
“Zakonisht studentët në vit të katërt dhe të pestë mund të punojnë direkt në treg pune. Ka kërkesë goxha, sepse Shqipëria është një kantier ndërtimi. Jo vetëm në sektor projektimi po është i gjerë dhe në zbatim në ndërtim, për të ndjekur punimet. Një student që diplomohet në arkitekturë mund të punësohet në nivele më të larta si menaxhim projekti. Sektori i interior dizajn ka mundësi më të kufizuar, por edhe më specifik, në ndriçim apo në mobilim”, shtoi Panariti.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të shihet si një kërcënim për profesionin. Programet e AI janë mjete që e bëjnë punën më të shpejtë, por nuk zëvendësojnë krijimtarinë dhe aftësinë e arkitektit, pohon Panariti.
“Programet e AI janë vetëm një mjet, nëse kishim laps e vizore, ai është vetëm një mjet për të paraqitur punën tendë. Të shkurton kohën. Sigurisht programet e interierit kane përdorim më të gjerë dhe më të sigurt. Studentët tanë i përdorin në fakt. Ajo çfarë dallon amatorin me profesionistin, është se një profesionist do ta drejtojë atë në rrugën e duhur, rrit profesionalisht”, tha Panariti.
Aplikimet për testin e pranimit zhvillohen paralelisht me përzgjedhjen e programeve në “e-Albania”, ndërsa kandidatët duhet të plotësojnë edhe formularin e veçantë për konkursin e pranimit. Me konkurrencë të lartë, kuota të kufizuara dhe një treg pune që kërkon specialistë, gara për një vend në këtë fakultet pritet të jetë sërish e forte këtë vit akademik.




