Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se opozita do të çojë në SPAK një padi për librin me projektet e arkitektëve të huaj që u bë publik pak ditë më parë “Dosjet shqiptare”. Në një konferencë me gazetarët Berisha përshëndeti vendimin e protestuesve të cilët gjithashtu çuan këtë libër në SPAK, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po e trajton Shqipërinë si pronën e tij duke ua dorëzuar sipas Berishës bregdetin bandave kriminale.
“PD po e studion dhe do paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK. Dhe kjo edhe njëherë për ne konsiderohet dosja më kriminale”, tha Berisha.
Kryetari i PD komentoi disa foto të cilat ai pretendon se i përkasin punimeve që po bëhen në godinën e kryeministrisë duke akuzuar Edi Ramën se po shpenzon qindra mijëra euro për këtë çështje.
“Sulltani i kuq po vendos ngjyra haremi në kryeministri. Po, këto janë tipike ngjyrat e haremeve. Dënoj me forcën më të madhe vendosjen e këtyre ngjyrave në hollet e kryeministrisë. Urdhëroni sa kushtojnë dhe sa nuk kushtojnë. Këto ngjyra janë ose të haremeve ose të kinemave të seksit në Pigal. Atje i kam parë unë këto”, shtoi Berisha.
Berisha përsëriti se opozita mbështet kërkesat e protestuesve ndaj dhe ka dorëzuar zyrtarisht në kuvend; projektligjin për shfuqizimin e ligjit “Për investimet strategjike”, shfuqizimin e “Paketës së maleve” dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe në atë “Për trashëgiminë kulturore”. Kryetari i PD sqaroi se deputetët e opozitës nuk do të shkojnë më në seancë plenare derisa këto propozime të futen në rendin e ditës, e do të marrë pjesë vetëm në mbledhjet e komisioneve.
“Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në komisione, gjersa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës. Mbajtja e tyre pa i paraqitur në parlament, është një fyerje shumë e rëndë për opozitën, protestën dhe për shqiptarët”, tha Berisha.
Parlamenti do t’i mbyllë punimet në 23 korrik dhe në kalendarin e punës këto propozime të PD nuk janë përfshirë ndaj pritet që deputetët demokratë të bojkotojnë seancat plenare deri në fund të këtij sesioni.





