Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur paraditen e kësaj të premteje një aksion në bregdetin e Jalës, ku po shemben disa struktura prej druri të ngritura pa leje përgjatë vijës bregdetare.
Objekt i ndërhyrjes janë beach bar-e dhe ndërtime të tjera provizore, të cilat, sipas autoriteteve, rezultojnë të ndërtuara pa leje dhe kanë dalë jashtë hapësirës së përcaktuar nga Bashkia për ushtrimin e aktivitetit.
Në terren ndodhen edhe efektivët e Policisë së Himarës, të cilët po mbështesin zhvillimin e operacionit dhe po garantojnë mbarëvajtjen e tij.
Pronarët e disa prej këtyre strukturave kanë nisur vetë çmontimin e objekteve përpara ndërhyrjes së mjeteve të IKMT-së.
Deri në këto momente nuk janë raportuar incidente apo përplasje me forcat e rendit, ndërsa situata paraqitet e qetë.
Aksioni i IKMT-së pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.





