Qeveria ka miratuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, duke parashikuar fonde shtesë për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se indeksimi i pensioneve do të nisë më 1 korrik, për të cilin është vënë në dispozicion një fond prej 872 milionë lekësh. Ndërkohë, duke filluar nga viti i ardhshëm, indeksimi i pensioneve pritet të kryhet në muajin prill.
Sipas Malajt, me rishikimin e buxhetit parashikohet edhe dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, që do të ketë 10 mijë përfitues.
Në sektorin e shëndetësisë janë akorduar fonde shtesë për barnat onkologjike, si dhe për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore.
Po ashtu, për sektorin e mbrojtjes janë planifikuar 10.3 miliardë lekë shtesë, ndërsa është rritur edhe fondi i garancisë sovrane.
Sipas ministrit, garancia sovrane nuk do të jetë më 3 miliardë lekë, por do të rritet në 5 miliardë lekë, fond që do të përdoret për të mbështetur bujqësinë, si edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.





