Tetë të pandëhur u dërguan për gjykim për tjetërsim masiv pronash dhe falsifikim dokumentesh.
SPAK njoftoi se Vullnet Muça dhe Aleksandër Laho kanë ideuar skemën kriminale të tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit. Këta persona e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal në zonën Shijak-Kepi i Rodonit.
“Duke shfrytëzuar njohjet dhe influencën e tyre në këtë zonë, ata kanë identifikuar familjet bujqësore, kryefamiljarët e të cilave ishin në moshë të madhe, me nivel arsimor të ulët dhe në gjendje të vështirë ekonomike për të falsifikuar aktin e marrjes së tokës në pronësi”, shkroi SPAK zyrtarisht.
Prokuroria thotë se për të falsifikuar dokumentet, grupi kriminal ka bashkëpunuar me zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës.





