Tre marinarë indianë, të cilët më parë ishin raportuar si të zhdukur, kanë humbur jetën pas një sulmi të ushtrisë amerikane ndaj cisternës së naftës MT Settebello në Gjirin e Omanit, konfirmoi ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal.
Anija u godit të mërkurën pasi ushtria amerikane e akuzoi se nuk kishte respektuar urdhrat e forcave amerikane. Në bord ndodheshin 24 marinarë indianë, ndërsa 21 prej tyre u shpëtuan.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sonowal e cilësoi ngjarjen si “thellësisht të trishtueshme” dhe bëri të ditur se trupat e viktimave do të riatdhesohen së shpejti në Indi.
Pas incidentit, qeveria indiane thirri për sqarime zëvendësshefin e misionit diplomatik amerikan në Nju Delhi.
Sipas ushtrisë amerikane, cisterna po përpiqej të transportonte naftë nga Irani në kundërshtim me bllokadën detare të vendosur nga SHBA-ja.
Ky është sulmi i dytë brenda javës ndaj një anijeje me ekuipazh indian. Të hënën, forcat amerikane goditën cisternën The Marivex, gjithashtu me ekuipazh indian, pasi sipas CENTCOM-it nuk iu bind urdhrave të forcave amerikane. Të 24 marinarët e saj u shpëtuan nga ushtria e Omanit./vizionplus.tv





