Në venddepozitimin e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës është riaktivizuar një vatër zjarri mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse në zonë.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa ende nuk raportohen informacione për përhapjen e zjarrit përtej zonës së mbetjeve.
Kjo nuk është hera e parë që zona e venddepozitimit të mbetjeve në Vlorë përfshihet nga zjarre, duke krijuar shqetësim për banorët dhe autoritetet lokale. Në raste të mëparshme, djegia e mbetjeve ka sjellë çlirimin e sasive të mëdha tymi, i cili konsiderohet i dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Edhe pse depozitimi i mbetjeve në këtë zonë është ndërprerë, terreni vijon të mbetet problematik dhe i rrezikuar nga riaktivizimi i vatrave të zjarrit, sidomos gjatë periudhave me temperatura të larta.
/vizionplus.tv





