Vijojnë hetimet intensive të Policisë së Tiranës për zbardhjen e fatit të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i zhdukur që prej datës 4 qershor pa lënë asnjë gjurmë. Sipas gazetarit të vizion Plus, Esido Barkaj, hetuesit dyshojnë se pas ngjarjes mund të fshihet një vrasje e mundshme, ndërsa pista kryesore lidhet me shokun e tij të ngushtë.
Sipas informacioneve hetimore, dyshohet se Armand Shakaj, i njohur edhe me nofkën “Armand Dhelpra”, mund të jetë i përfshirë në zhdukjen e 34-vjeçarit. Policia ka ngritur dyshime mbi të bazuar në pamje filmike dhe prova të mbledhura nga kamerat e sigurisë, të cilat e tregojnë atë në lëvizje të dyshimta në zonën e Bulevardit të Ri dhe pranë biznesit të tij.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se automjeti tip “Porsche” në pronësi të Shakajt është sekuestruar nga policia, ku janë gjetur njolla gjaku që po analizohen në laborator për të përcaktuar nëse i përkasin të zhdukurit. Po ashtu, në disa pamje të tjera të sigurisë dyshohet se Shakaj është filmuar duke transportuar qese të zeza, të cilat dyshohet se mund të lidhen me zhdukjen e Koçit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kontrolle po ushtrohen kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, dy zona këto që vizitoheshin shpesh nga autori i dyshuar, Armand Shakaj.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe 25-vjeçari Enea Zyferi, i cili punonte si kamarier në lokalin e Shakajt. Ai ka dhënë deklarime kontradiktore përpara grupit hetimor dhe dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarje. Sipas dëshmisë së tij, pronari i kishte kërkuar të fikte dritat e lokalit për shkak të një lëvizjeje të brendshme, ndërsa më pas kamerat kanë fiksuar lëvizje të dyshimta.
Burime hetimore bëjnë me dije se një tjetër pistë lidhet edhe me çështje financiare, konkretisht me dyshime për shuma të mëdha parash dhe konvertim të kriptomonedhave nga ana e viktimës, çka mund të ketë sjellë konflikt mes dy personave.
Policia e Tiranës vijon kërkimet në zonat malore të Dajtit dhe në kufijtë me Librazhdin dhe Dibrën, ku dyshohet se mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit. Megjithatë, autoritetet theksojnë se ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse Eglant Koçi është vrarë apo vijon të rezultojë i zhdukur.
Hetimet vijojnë, ndërsa dosja mbetet ende e hapur dhe me shumë pista të pakonfirmuara zyrtarisht.
/vizionplus.tv





