Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme të reja ajrore në jug të Libanit, duke goditur atë që e cilësoi si infrastrukturë të Hezbollahut. Pamje të publikuara në rrjetet sociale nga qyteti bregdetar i Tiros tregojnë turma njerëzish të mbuluar nga pluhuri pranë ndërtesave të shembura pas bombardimeve.
Të mërkurën, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u kërkuan banorëve të largohen në veri të lumit Zahrani, rreth 40 kilometra nga kufiri me Izraelin. Ushtria izraelite paralajmëroi se do të veprojë “me forcë ekstreme”, duke akuzuar Hezbollahun për shkelje të përsëritura të armëpushimit.
Nga ana tjetër, Hezbollahu akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit dhe deklaroi se luftëtarët e tij janë përplasur me trupat izraelite gjatë së mërkurës.
Sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, dy valë sulmesh izraelite goditën qytetin e Tiros dhe zonat lindore të tij të enjten në mëngjes, duke shkaktuar zjarr në disa ndërtesa.
Kreu i delegacionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Liban paralajmëroi se situata në jug të vendit po afrohet drejt “një pike shumë të rrezikshme”.
“Luftimet e vazhdueshme po krijojnë kushte të papërballueshme për civilët dhe rrezikojnë pasoja afatgjata,” deklaroi Agnes Dhur.
Ndërkohë, autoritetet lokale dhe organizatat humanitare thanë se qyteti i Sidonit nuk mund të përballojë më numrin në rritje të familjeve të zhvendosura, duke u bërë thirrje civilëve të zhvendosen drejt Luginës Bekaa dhe zonës së Malit të Libanit.





